Përfundon vizita studimore njëjavore e studentëve të Universitetit të ZUG-ut në UKZ
Studentët e Universitetit të ZUG-ut në Zvicër përmbyllën vizitën studimore njëjavore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, të realizuar në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve.
Vizita kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e përvojave dhe njohjen nga afër me sistemin arsimor, kulturën dhe shoqërinë e Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, studentët zviceranë, të shoqëruar nga studentët e UKZ-së, zhvilluan një sërë aktivitetesh akademike, profesionale dhe kulturore.
Vizita nisi me pritjen nga u.d. Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj, me të cilën u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, shkëmbimet studentore dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit.
Studentët u njohën me Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe Fakultetin e Edukimit, si dhe zhvilluan prezantime dhe diskutime me studentët e UKZ-së mbi sistemet arsimore, kulturën dhe përvojat e tyre akademike.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishte vizita në shkolla fillore publike dhe private në Gjilan, ku studentët ndoqën nga afër procesin mësimor dhe bashkëbiseduan me mësimdhënës e nxënës, duke shkëmbyer përvoja mbi praktikat e mësimdhënies dhe dallimet ndërmjet sistemeve arsimore të Kosovës dhe Zvicrës.
Në kuadër të programit u zhvilluan edhe diskutime mbi mobilitetin studentor dhe mundësitë për shkëmbime ndërkombëtare, si dhe një vizitë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, ku studentët u njohën me qytetin dhe institucionet lokale.
Programi përfshiu edhe vizita kulturore dhe historike në Prekaz, Pejë, Drinin e Bardhë dhe Prizren, përmes të cilave studentët patën mundësi të njihen me historinë, trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Kosovës.
Vizita u përmbyll me një sesion reflektimi, ku studentët e të dy universiteteve ndanë përshtypjet dhe përvojat e fituara gjatë javës dhe diskutuan për mundësitë e vazhdimit të bashkëpunimit.
Studentët e Universitetit të ZUG-ut vlerësuan mundësinë për të njohur nga afër sistemin arsimor të Kosovës, për të bashkëpunuar me kolegët e UKZ-së dhe për të përjetuar nga afër kulturën, historinë dhe traditat e Kosovës. /2LONLINE/
