13:00
(E plotësuar)Ka përfunduar marshi protestues në mbështetje të kërkesës së studentëve për dorëheqjen e rektorit Gashi. Por protesta e studentëve ka vazhduar e qetë para Rektoratit të UP-së.
(E plotësuar)Aktualisht, protestuesit po qëndrojnë të ulur përpara kordonit të Policisë së Kosovës,që po qëndron përpara dyerve kryesore të objektit të Rektoratit.
Eskalon protesta para Rektoratit të UP-së. Protestuesit kanë thyer bllokadën e policisë së Kosovë, dhe kanë kaluar në oborr, duke kaluar portën kryesore. Policia ka barikaduar hyrjen kryesore të objektit.
12:36-Qindra protestues para Rektoratit kërkojnë dorëheqjen e Gashit
Prishtinë, 3 shkurt – (E plotësuar) Studentë, përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë janë bashkuar në protestën që aktualisht është duke u mbajtur para ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Ata po kërkojnë dorëheqjen e rektorit Gashi. Me pankarta në duar e me brohoritje “Universitet, jo pushtet” e “Ibrahim HUP”, qindra protestues po qëndrojnë përpara godinës së Rektoratit. Qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile po u drejtohen masës.
Kohavision e Arta po transmetojnë “live” atë që po ndodh para Rektoratit.
11:18-Studentët policisë: Protesta sa ka filluar!
Prishtinë, 3 shkurt – (E plotësuar) Studentët, pavarësisht nga pengesat që iu bënë sot për t’u pozicionuar në vendin e synuar për protestë, përmes një komunikate kanë bërë me dije se “Rektori i rrethuar me policë le ta dijë se protesta veç sa ka filluar“Rreth 200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke përfshirë njësitet speciale kanë rrethuar çdo cep të Rektoratit. Ata nuk janë aty sepse e kanë lokalizuar zonën e krimit dhe u duhet të zhvillojnë hetimet. Janë aty sepse duhet t’i mbrojnë të pabërat e Rektorit Ibrahim Gashi dhe shpurës së tij. Prania e Policisë në Universitet është figura më e qartë për kapjen e Universitetit nga pushteti.
Studentët protestues, si çdo ditë tjetër pune, kanë dalë për të bërë punën më të rëndësishme për Universitetin sot: ndalimin e punës së Rektorit mashtrues. Për të mbrojtur Ibrahim Gashin, kolegu i tij Bajram Rexhepi ka nxjerrë kundër studentëve, nga policët e trafikut deri tek njësitet speciale. Policia e Bajram Rexhepit, siç i njohim, nuk janë kursyer me brutalitetin e tyre. Gjatë intervenimit të dhunshëm, nga goditjet me shkopinj dhe përplasjet përtokë janë lënduar rëndë studentët protestues Pajtim Havolli dhe Egzon Azemi. Karakteri i pushtetit dhe manifestimi i tij konkret, sot ishin në përputhje të plotë. I dhunshëm është ky pushtet në gjendjen më normale të tij. Dhunë ushtron sa herë që cilido subjekt i shtypur ngrihet në rezistencë. Më të dalluar nga kolegët e tyre në ushtrimin e dhunës për të shtypur protestën e studentëve ishin policet me numrat 9354 dhe 9273.
Rektori i rrethuar me policë le ta dijë se protesta veç sa ka filluar. I mbetet atij ende shumë për të parë. Marshi i studentëve nga konviktet dhe marshi i qytetarëve nga sheshi do të takohen bash tek bunkeri i tij.
Studentët protestues para Rektoratit i priti policia
Prishtinë, 3 shkurt – Dhjetëra policë kanë qenë sot më të shpejtë se studentët, të cilët sot kishin ardhur para Rektoratit të UP-së, sipas paralajmërimit, për të vazhduar protestën. Studentët, të cilët në ditën e pestë të protestës së tyre u përpoqën të kalojnë rrethojnë për t’u pozicionuar para hyrjes së Rektoratit, u ndeshën me forcën policore, e cila kishte ardhur aty para orës shtatë. Pati edhe përplasje fizike midis tyre dhe sipas burimeve studentore, njëri sish është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore.
Aktualisht policia ka rrethuar Rektoratin, kurse një numër studentësh po vazhdon protestën.
Studentët për sot kanë paralajmëruar edhe një marsh protestues. Ata po kërkojnë shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi si dhe heqjen e titujve shkencorë për të gjithë ata profesorë që duke botuar punime shkencore nëpër revista të jashtme fiktive kanë përfituar në avancim. /kohanet/