Përfundoi Programi Treditor i Mentorimit në Arkitekturë dhe Dizajn
Në kuadër të projektit “Inovacioni i të Rinjve në Dizajn dhe Zhvillim Lokal”, u zhvillua me sukses Programi Treditor i Mentorimit, i dedikuar të rinjve nga Gjilani, Kamenica dhe Vitia, me fokus në zhvillimin e njohurive dhe aftësive praktike në fushën e arkitekturës, projektimit dhe dizajnit.
Programi u realizua në bashkëpunim me partnerin e projektit, studion projektuese BHarch , ndërsa sesionet profesionale u udhëhoqën nga arkitektët dhe ekspertët Liridon Januzi dhe Blind Haxhiu, të cilët përmes trajnimit, mentorimit dhe punës praktike ndanë me pjesëmarrësit njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale.
Gjatë tri ditëve, pjesëmarrësit patën mundësi të punojnë në mënyrë praktike mbi konceptet e projektimit arkitektonik, dizajnin e hapësirave të brendshme dhe të jashtme, zhvillimin e ideve kreative dhe orientimin drejt mundësive profesionale dhe sipërmarrjes.
Në përmbyllje të programit u ndanë certifikatat për pjesëmarrësit, në një ceremoni ku ishin të pranishme edhe Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, znj.Arta Ajeti, dhe Udhëheqësja e Sektorit për Ekonomi dhe Zhvillim, znj.Ganimete Emini.
Investimi në njohuri, aftësi dhe kreativitetin e të rinjve është një mundësi e zhvillimit profesional dhe zhvillimit lokal.
Projekti implementohet nga CCNO-Center for cooperation and networking of organizations me mbeshtetje të Ministria e Zhvillimit Rajonal. /2LONLINE/
