Përfundoi Konferenca e pestë Vjetore e Universitetit Publik “Kadri Zeka” – UKZ AC 2026
“Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka përmbyllur me sukses punimet e Konferencës së Pestë Vjetore Shkencore, UKZ AC 2026, e cila gjatë dy ditëve mblodhi studiues, profesorë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme për të diskutuar zhvillimet më të fundit në kërkim shkencor, arsim, inovacion dhe bashkëpunim akademik”, thuhet në njofitmin e UKZ-së.
Sipas agjendës së konferencës, dita e dytë u karakterizua nga zhvillimi i sesionit “Research and Development Groups Meeting” dhe sesionit përmbyllës “Conclusion and Closing of the Conference – About the Next Conference”.
Punimet e sesionit “Research and Development Groups Meeting” u zhvilluan si vazhdim i diskutimeve të nisura gjatë MathDay Conference dhe aktiviteteve të organizuara në kuadër të punëtorisë “Innovative STEM Strategies in Education”. Gjatë këtij sesioni u prezantuan dhe u trajtuan tema nga fusha e Matematikës, të ndërlidhura ngushtë me konceptin STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), duke u fokusuar në qasje inovative të mësimdhënies, integrimin ndërdisiplinor të njohurive dhe zhvillimin e kompetencave të nevojshme për shekullin XXI.
Pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja, ide dhe praktika të mira, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit, qendrave kërkimore dhe sektorit të industrisë për avancimin e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte “Mathematical Modeling and Real-World Problem Solving” (Modelimi Matematik dhe Zgjidhja e Problemeve Reale). Në këtë sesion u trajtua përdorimi i matematikës për modelimin e situatave nga shkenca, inxhinieria dhe teknologjia, si dhe analiza e të dhënave reale, parashikimet dhe optimizimi. Përmes shembujve praktikë, si modelimi i rritjes dhe zvogëlimit të popullsisë, analiza e konsumit të energjisë, ndotja e mjedisit dhe trafiku urban, u demonstrua qartë ndërlidhja ndërmjet Matematikës, Shkencës, Inxhinierisë dhe Teknologjisë.
Po ashtu, vëmendje të veçantë mori punëtoria “Computational Thinking and Programming in Mathematics” (Të Menduarit Kompjuterik dhe Programimi në Matematikë), ku u diskutua për integrimin e Python-it dhe mjeteve të tjera digjitale në mësimin e matematikës, algoritmet matematikore, vizualizimin e funksioneve dhe statistikave, si dhe zgjidhjen e problemeve përmes programimit. Përmes shembujve konkretë nga jeta reale, si gjetja e termit të përgjithshëm të një vargu, simulimi i proceseve matematikore dhe vizualizimi grafik i funksioneve, u theksua rëndësia e lidhjes ndërmjet Matematikës, Teknologjisë dhe Shkencës Kompjuterike.
Gjatë konferencës u prezantuan gjithashtu propozime hulumtuese që lidhen me temat “Mathematical Modeling and Real-World Problem Solving” dhe “Computational Thinking and Python Programming in Mathematics Education”, duke hapur mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta kërkimore.
Në përmbyllje të konferencës, pjesëmarrësit vlerësuan se gjatë dy ditëve të punimeve u arrit të ndahen rezultate të rëndësishme kërkimore, të shkëmbehen përvoja profesionale dhe të krijohen ura të reja bashkëpunimi. U theksua se suksesi i UKZ AC 2026 përbën një nxitje të fuqishme për avancimin e mëtejmë të hulumtimeve shkencore, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndikimit pozitiv të dijes në shoqëri.
Organizatorët ftuan komunitetin akademik dhe hulumtuesit shkencorë që të bëhen pjesë edhe e konferencës së ardhshme vjetore, UKZ AC 2027, e cila pritet të trajtojë tema aktuale dhe me rëndësi strategjike, si zhvillimet teknologjike, inteligjenca artificiale, arsimi, ekonomia dhe ndikimi i tyre në shoqëri. /2LONLINE/
