Skuadra e Dritës së Gjilanit (femrat) ka filluar përgatitjet për fazën finale të kampionatit dhe me përforcimet e bëra synojnë të jenë befasia e play offit. Kontigjenti i lojtareve gjilanase ua mundëson të ëndërrojnë një finale të mundshme deri sa objektivi tashmë veç se është arritur. Trajneri i kësaj skuadre Afrim Selimi flet lidhur me objektivin e radhës dhe sfidën e madhe financiare.
(2LONLINE) – Objektivin tashmë e kanë arritur. Hyrja në garat e play offit ishte ‘mision’ i vashave të trajnerit Afrim Selimi ndërkohë tani synojnë të befasojnë edhe në fazën finale të kampionatit. Për të arritur një gjë të tillë, klubi i basketbollit Drita (femrat) afroi edhe dy lojtare nga Maqedonia, ndërkohë që tani kanë nisur të mendojnë për betejën e pare që i pret në fundjavë, kundër kampionit aktual Penzës.
“Përgatitjet i kemi filluar qysh sot, ndërkohë në ndeshjet e gjysmë finales presim ndihmën edhe dy basketbollisteve të ardhura nga Maqedonia. Bëhet fjalë për Buseira Dacin dhe Arnela Hoxhën të cilat do ti mbulojnë pozitat për të cilat ne kishim nevojë”, deklaroi Selimi për Portalin 2Lonline.
Ardhjet e reja në klubin gjilanas priten të jenë ‘infuzion’ për vashat gjilanase të cilat dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e qëllimit parësor që kishte klubi në fillim të sezonit.
‘’Buseira është një organizatore shumë e mirë ndërkohë Arnela është një lojtare që luan rolin e qendrës mirëpo me shumë përvojë në basketbollin tonë. Me ndihmën e tyre dhe vashave të tjera të cilat shkëlqyen dhe treguan një angazhim të pashoq deri këtu, shpresojmë të prekim edhe finalen e madhe. Mirëpo gjithsesi ne kemi arritur qëllimin tone të futemi në play off dhe fitimi i titullit nuk do të jetë obsesion për ne’’, shtoi Selimi sa i përket garës për titull.
Bëhen gati për Penzën, ëndërrojnë titullin
Rruga për të ardhur deri në fazën ku ndodhen tani ishte shumë e mundimshme mirëpo jo edhe e pa arritshme. Megjithëse tani kanë realizuar qëllimit e pare, tani radha është për të dytin dhe më të vlefshmin, por për të ardhur deri aty së pari duhet ta kalojnë Penzën, ndërkohë që trajneri gjilanas, Afrim Selimi përshkruan rrugëtimin e Dritës deri në play off.
‘’Kemi pasur një sezon mjaft të mire, për tu veçuar mbetet pjesa e dytë e kampionatit me ç’rast ishim në seri fantastike prej pesë ndeshjeve pa humbje ndërkohë që ishte Prishtina që na ndaloi ‘hapin’. Në mungesë të lojtarëve në disa pozita na humbi edhe koordinimi ndoshta edhe pse ndeshjet ishin shumë të rëndësishme. Por, vlen të përmendet që unë kam një skauser ndër më të rejat dhe mosha mesatare është afër 16 vjeç dhe me të vërtetë jam i kënaqur që kemi arritur të hyjmë në play off, pasi ky ishte edhe synimi jonë primar’’.
Për dallim nga ndeshjet e kaluara me Penzën këto të radhës do të jenë më ndryshe pasi gjilanaset të përforcuara tani kanë filluar të mendojnë edhe finale e cila po i mungon tashmë e sa kohë.
“Në ndeshjen e fundit që zhvilluam fundjavën që lëmë pas u dhashë hapësirë gjithë basketbollisteve dhe nuk ishte ndonjë pasqyre reale e skuadrave nga ajo që u tregua në parket pasi ne zhvilluam një ndeshje mjaft të mire. Ndërsa tani në përballjen gjysmë finale ndaj Penzës shpresoj që të jemi më syhapur dhe të arrijmë edhe plasmanin për në finale pasi një kohe të gjatë”.
Përparësia e terrenit vendas do të jetë një factor shumë me rëndësi për dy skuadrat, mirpo Selimi beson në aftësitë e vashave që i udhëheq dhe ta menjanojnë këtë ‘mangësi’.
“Terreni sigurisht se do të jetë një përparësi për rivalin mirpo nuk besoj se do të na paraqet ndonjë problem pasi që unë besoj në aftësitë e lojtareve të mia”.
Përkundër që tekniku Selimi ka krijuar një skuadër stabile dhe mjaft cilësore me basketbollistet e reja ai kërkon mbështetje financiare nga komunarët dhe bizneset gjilanase në mënyrë që të vazhdohet ky projekt pasi premton shumë për të ardhmen.
“Po kërkojmë mbështetje financiare nga ndonjë sponsor dhe me një ndihme më të madhe nga Kuvendi Komunal do të krijonim një qëndrueshmëri dhe do të krijonim një skuadër stabile për tre ose katër vitet e ardhshme që për synim gjithmonë do të kishte titullin e kampionit”, përfundoi Selimi. /2lonline/