(2L ONLINE) – Drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi i shoqëruar nga drejtori ekzekutiv i kompanisë “Eko-Higjiena”, Bajram Isufi kanë vizituar sot deponinë e mbeturinave në Velekincë të Gjilanit, për të parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhet ajo, por nuk janë lejuar të futen brenda me arsyetimin e KMDK-së nga qendra “se duhet kërkuar leje një ditë më parë”.
Drejtori i DZHE-së, Ismail Januzi tha me këtë rast se ky fakt i sotshëm i mos lejimit të futjes në deponi për instancat komunale, tregon burokracinë e nivelit qendror dhe papërgjegjësinë e tyre.
“Sot dolëm për ta vlerësuar gjendjen e deponisë pas ankesave të shumta të qytetarëve, sidomos kur ka reshje të mëdha të shiut. Ankesat janë që ka rrjedhje të ujërave te zeza, që ua bëjnë jetën e rëndë për këtë pjesë të qytetarëve. Kjo ishte një vizitë e paparalajmëruar dhe neve na u pamundësua të hyjmë brenda për ta parë gjendjen e deponisë nga afër. Ky fakt i sotshëm tregon se ka burokraci nga qeveria meqë menaxhohet prej saj. Është vërejtur edhe sot që nuk është një vullnet i mirë i menaxhimit të saj”, ka thënë drejtori Januzi.
Në ndërkohë, drejtori i DZHE-së dhe ai i “Eko-Higjienës” kanë vizituar banorët që jetojnë afër deponisë, duke u informuar për gjendjen e rëndë të tyre, meqë kjo deponi nuk i plotëson asnjë nga standardet europiane.
“Kryetari Haziri e ka paraqitur edhe në fushatë se nëse nuk ngritet niveli i trajtimit të mbeturinave, do të vije edhe deri të mbyllja e deponisë. Natyrisht, që për kryetarin e Komunës shëndeti i qytetarëve është në rend të parë. Duhet theksuar edhe faktin se i gjithë regjioni prej 11 komunave mbeturinat i zbrazin këtu dhe kjo është në dëm të qytetarëve të Gjilanit, e cila duhet të ndalet”, ka thënë Januzi.
Ai pohoi se duhet të merren masa që të parandalohen fëmijët të cilët hyjnë për të mbledhur gjëra të metalta sepse rrezikohet jeta e tyre, ndërsa ka folur edhe për nisjen e një pilot-projekti në bashkëpunim me GIZ-in gjerman për riciklimin e mbeturinave.
“Ne e kemi një program me qeverinë gjermane, e kemi filluar trajtimin e të gjitha llojeve të mbeturinave në gjithë komunën. Në këtë muaj do të fillojmë me një pilot-projekt në pjesën e lagjes “Dardania”, ku kam besim që qytetarët e asaj lagjeje do të fillojnë ndarjen e mbeturinave dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim edhe me kompaninë “Eco-Higjiena”. Të gjitha ato mbeturina që kanë vlerë si: letra, plastika, qelqi e metalet e ndryshme do të riciklohen. Jemi ndër komunat e para që do të hyjmë në këtë projekt em GIZ-in gjerman”, u shpreh drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Ismail Januzi.
Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i “Eko-Higjienës” Bajram Isufi tha se gjendja është tejet e rëndë edhe jashtë kësaj deponie meqë qytetarët e pa përgjegjshëm hudhin mbeturina kudo.
“Realisht shihet që gjendja edhe jashta deponisë nuk është e mirë sepse qytetarët dhe kompanitë e papërgjegjshme hudhin mbeturina vend e pa vend, ku është degraduar pjesa dërmuese e hyrjes së deponisë. E vetmja kompani regjionale e cila e ka licencën për të hudhur mbeturina këtu është “Eko-Higjiena” dhe të tjerët nuk kanë licencë dhe nuk kanë të drejtë të hudhin mbeturina këtu. Ne edhe më herët kemi pasur aktivitete, ku kemi pastruar hyrjen e deponisë, mirëpo përsëri qytetarë të pa përgjegjshëm hudhin mbeturina vend e pa vend”, ka thënë Isufi.
Ndërsa, Bislim Selimi, i cili jeton pak metra afër deponisë regjionale të mbeturinave që ndodhet ne fshatin Velekincë të Gjilanit, ka thënë jeta për banorët e kësaj pjese është e tmerrshme nga kundërmimi dhe kontaminimi i puseve të ujit të pijes si pasojë e rrjedhjes së ujërave të zeza nga kjo deponi.
“Gjendja këtu nuk është e mirë sepse ka erëra, këtu e kam rregullu drenazhën dhe kanalizimin për me i parandalu ujërat e zeza. Erëra ka shumë, na u prishën edhe pemët edhe perimet ndërsa as uji i puseve nuk është i pijshëm. Ose duhet me u rregullu ose duhet mu mbyllë kjo deponi se kështu nuk durohet më”, tha Bislimi. /2L ONLINE/