Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc sot kanë qëndruar përfaqësuesit e Ambasadës së Zvicrës në Beograd. Pauline Menthonnex Gacaferri, përfaqësuese nga kjo ambasadë ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e KKSH-së Jonuz Musliu.
Përmes kumtesës së lëshuar, KKSH njofton se gjatë këtij takimi është diskutuar rreth iniciativës së kryetarit të KKSH-së për thirrjen e seancës së Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Gjithashtu temë bisedimi ishte situata e krijuar politike dhe e sigurisë në Luginën e Preshevës dhe përdorimi i teksteve shkollore për shkollat fillore në gjuhën shqipe.
“Kryetari Musliu e njoftoi me rrjedhat më të reja politike në Luginën e Preshevës si dhe seancën e Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, gjithsesi theks të veçantë Musliu theksoi nevojën e nxënësve shqiptarë për tekstet shkollore, pasur parasysh që nxënësit shqiptarë kanë vijuar procesin edukativo-arsimor pa pasur tekstet shkollore”, thuhet në kumtesë, transmeton Titulli.com