DYLON

Përfaqësuesit e UKZ-së marrin pjesë në “Study in Europe Fair Albania 2025”

Përfaqësuesit e UKZ-së marrin pjesë në “Study in Europe Fair Albania 2025”
Avatar photo Redaksia

Përfaqësuesit e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, morën pjesë në ngjarjen ndërkombëtare të arsimit të lartë “Study in Europe Fair Albania 2025”, e cila u zhvillua në Tiranë gjatë datave 9, 10 dhe 11 tetor 2025.

Ngjarja, e organizuar nga platforma Study in Europe Fairs, mblodhi përfaqësues të dhjetëra universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë nga vende të ndryshme evropiane, si dhe përfaqësues nga agjencitë kombëtare të arsimit dhe organizatat që veprojnë në fushën e mobilitetit akademik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

EkoHigjiena

Universiteti Publik “Kadri Zeka” u përfaqësua në këtë edicion nga prof. dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, dhe prof. asoc. dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale.

Në ditën e parë të ngjarjes, u zhvillua Forumi i Politikave Evropiane për Arsimin e Lartë, ku u diskutuan zhvillimet bashkëkohore në kuadër të Zonës Evropiane të Arsimit, standardet e sigurimit të cilësisë dhe politikat e njohjes së ndërsjellë të diplomave. Përfaqësuesit e UKZ-së morën pjesë aktive në diskutime dhe prezantime, duke ndarë përvojat e universitetit në fushën e akreditimit, vlerësimit të cilësisë dhe harmonizimit të programeve me standardet evropiane (EQF dhe ESG).

Më 10 tetor, aktivitetet vazhduan me Seminarin e Ndërtimit të Partneriteteve Akademike (Contact Building Seminar), ku përfaqësues nga universitetet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian shkëmbyen përvoja dhe ide për zhvillimin e bashkëpunimeve të reja në fushën e arsimit të lartë. Takimet bilaterale të përfaqësuesve të UKZ-së u realizuan me universitete nga Italia, Spanja, Gjermania, Hungaria, Latvia, Kroacia, Franca. Malta, Portugalia, Irlanda ku u diskutua për mundësi të reja bashkëpunimi në kuadër të programeve Erasmus+, projekteve të ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe nismave kërkimore të përbashkëta.

Në ditën e tretë, u mbajt panairi kryesor “Study in Europe Fair Albania” , ku përfaqësuesit e UKZ-së morën pjesë në një sërë takimesh me përfaqësues të universiteteve pjesëmarrëse. Takimet u fokusuan në shkëmbimin e ideve për zhvillimin e partneriteteve të reja, mobiliteteve studentore dhe bashkëpunimeve akademike ndërkufitare, me synim forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe shkëmbimit akademik në nivel evropian.

Pjesëmarrja e UKZ-së në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e universitetit për të avancuar procesin e ndërkombëtarizimit, për të forcuar bashkëpunimet akademike rajonale dhe evropiane, si dhe për të promovuar arsimin publik të Kosovës si pjesë të integruar të hapësirës evropiane të arsimit dhe kërkimit shkencor. /2LONLINE/