Përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
Pas vendimit të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan, dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Njoftimi i Listës Serbe ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Pas vendimit për të dalë nga insitucionet e Republikës së Kosovës, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.
Reagojnë nga Presidenca
Blerim Vela nga zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës ka reaguar pas vendimit të “Listës Serbe” për të braktisur institucionet e Republikës së Kosovës.
Vela ka thënë se Serbia është duke i detyruar dhe nxitur serbët që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës.
Ai ka thënë se një akt i tillë i ngjanë asaj nxitjes që Rusia e kishte bërë në Donbas në vitin 2014.
Vela ka thënë se ngjarja e sotme tregon se “Lista Serbe” përdoret si mjet nga regjimi i Aleksander Vuçiqit për të destabilizuar Kosovën.
Reagon edhe kryeministri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas daljes së Listës Serbe nga institucionet, duke thënë se përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave, por se ata s’e pritën 21 nëntorin.
Reagimi i plotë:
Nga 1 nëntori ka filluar dhënia e qortimeve apo vërejtjeve ndaj ngasësve të veturave që bartin tabela ilegale në territorin e Kosovës, trashëgimi ato e regjimit të Milosheviqit. Deri më sot, numri i qortimeve të dhëna është gjithsej 843. Nuk ka pasur asnjë incident dhe nuk është regjistruar asnjë ankesë. Kështu do të vazhdojmë për tri javë, pra deri më 21 nëntor, atëherë kur fillojnë gjobat ashtu siç parashihet me ligj. Ndërkohë, qytetarët me tabela ilegale KM, PR etj. do të mund t’i konvertojnë ato në legale RKS me lehtësime të mëdha tatimore.
Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje.
Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet.
Me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, Serbia ka kapitulluar dhe i ka thënë lamtumirë Kosovës. Nuk ka nevojë të humbim kohë e të vazhdojmë të vonohemi edhe në vitin 2022. Duke e përkrahur Milosheviqin dhe Sheshelin para çerek shekulli e keni lënë Kosovën. Duke e përkrahur Putinin e Lavrovin sot, po e lini Evropën.
I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik.