Përfaqësoi Italinë në Eurovision, kthehet në Shqipëri për koncert

Përfaqësoi Italinë në Eurovision, kthehet në Shqipëri për koncert

Pas suksesit të një viti më pare ne Eurovision me Italinë, Ermal Meta rikthehet me një tjetër koncert në Tiranë.

Të gjithë adhuruesit e zërit të kantautorit të mirënjohur shqiptar kanë mundësi ta ndjekin sot në mbrëmje nga afër në Pallatin e Kongreseve, ku Ermal Meta do të performojë për publikun shqiptar së bashku me “GnuQuartet”, një grup i njohur instrumentistësh, si vijim i turit “Ermal Meta në Teatër me GnuQuartet”.

Para koncertit të sotëm, kantautori u prit në takim nga kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin mbolli edhe një pemë.

“Jam shumë i lumtur që vëllai im, Ermali, është kthyer sërish në Tiranë për të lënë gjurmë, për të hedhur rrënjë këtu.  Bëmë edhe një mbjellje për të hedhur ca rrënjë fizike. Jam shumë i lumtur që i gjithë koncerti është “sold out”, një nga më të mëdhatë në Pallatin e Kongreseve të turit të Ermalit me GnuQuartet, një grup fantastik nga Xhenova. Kanë bërë një tur në të gjithë Italinë dhe jam shumë i lumtur që me këmbënguljen e  Ermalit, edhe Shqipëria u bë pjesë e këtij turi”, tha Veliaj.

Pavarësisht famës ndërkombëtare, Ermali s’e harron kurrë skenën shqiptare, ku këtë herë do të dhurojë një supershfaqje te Pallati i Kongreseve. Veliaj vlerësoi kantautorin dhe e cilësoi atë si shembullin më dinjitoz shqiptaro-italian.

Artisti Ermal Meta tha se Shqipëria është shtëpia e tij dhe sa here kthehet ka emocione.

“Kjo është shtëpia ime, është Shqipëria, edhe kthehem gjithmonë me shumë emocione. Faleminderit shumë! Qyteti më duket jashtë mase i bukur, më pëlqen ndjenja që gjej rreth e rrotull, e kjo është mbi të gjitha për punën e mrekullueshme që ka bërë Erioni në këtë qytet”, deklaroi Ermal Meta.

Në koncertin e sotëm para publikut shqiptar, do të bëhen bashkë një sërë instrumentesh muzikore si violë, violinë, violinçel dhe flaut.

KOMENTE