(2LONLINE) – Pas kompletimit të qeverisë komunale (tejet të vonuar) nga kryetari aktual z. Haziri, shihet se sa i përket përfaqësimit të femrës në këtë qeveri, mbeti plotësisht e zhgënjyer njëra gjysmë e popullatës në komunën e Gjilanit. Fjala është pra, për femrën e kësaj komune. Më habitë fakti ngaqë femrat e LDK-së (që ishin opozitë) në mandatin e kaluar të KK dhe në Grupin e Grave të Gjilanit (GGGJ), për 6 vite rresht nuk ndaluan së kritikuari qeverisjen e mëparshme për mosrespektim të ligjit për barazi gjinore e tashti po të njëjtat heshtën kur i kanë mekanizmat vendimmarrës në dorë, kur tashti janë vet në pushtet.
Edhe pse me të drejtë e kritikuam mandatin e kaluar dhe kryetarin sepse ishin pak femra në udhëheqje por, megjithatë nga partia e ish-kryetarit që e udhëhiqte qeverisjen (PDK) së paku ishte në fillim një grua në funksionin e menaxheres së prokurimit e pastaj u emërua edhe një tjetër në urbanizëm nga vet kryetari Mustafa duke e ngritur numrin e drejtoreshave në dy. Për habi, nga partia e madhe që tashti e udhëheqë qeverisjen (LDK) nuk u vendos asnjë drejtor femër ndërsa një e vetmja që u “vendos” në qeverinë komunale është përcaktim dhe përkujdesje e Partisë së Drejtësisë (PD) e jo e kryetarit aktual dhe e partisë së tij. E përgëzojmë PD-në për këtë akt.
AAK e bëri po të njëjtin gabim por, nuk më habitë edhe aq fortë AAK që nuk e vendosi asnjë grua për të udhëhequr me drejtori duke e patur parasysh përvojën e saj të mangët në qeverisje. Të kryetarit të saj po ashtu (e që tashti është nënkryetar i komunës). Kryetarit por edhe këshilltarëve të tij nga AAK sigurisht që ju duhet kohë që ta lexojnë e pastaj edhe ta kuptojnë mirë ligjin për barazi gjinore dhe vendin të cilin e meriton gruaja jonë sot në shoqëri qoftë si dije, si kreativitet por edhe si detyrim ligjor.
Keq, shumë keq. Së paku për dy arsye është keq. Njëra arsye (e madhja) është se me këtë dëshmojmë që femrës te ne ende nuk i besohet mjaftueshëm edhe pse atë e kemi të bollshme edhe në numër por e kemi edhe të dëshmuar në jetën publike e sidomos te partitë e mëdha që ishin dhe janë për kohë të gjatë në qeverisje të komunës (LDK e PDK). E dyta arsye pse kjo qasje është për keqardhje është se vërtetë femrat e LDK që aq shumë bënë zhurmë në KK dhe në publik për shumë vite për këtë çështje, këtu dështuan plotësisht dhe doli se kontestimin e paskan bërë vetëm për retorikë e për pikë politike dhe jo edhe për përmbajtjen çështjes e që është barazia e gruas në udhëheqje, prezantim e përfaqësim të komunës tonë.
U premtua zëshëm nga kryetari Haziri gjatë fushatës zgjedhore se në qeverisjen e tij gruaja do të ketë vendin e merituar në të gjitha nivelet dhe ligji për barazi gjinore do të respektohet me përpikëri. Që në start të mandatit kryetarit i “rrëshqiti” ky zotim qysh do t’i rrëshqasin si duket edhe shumë premtime të tjera sepse vetë përbërja e këtij kabineti që u prezantua dje lenë shumë për të dëshiruar. Por sot, me këtë reagim timin nuk e kam për qëllim që të merrem me kualitetet e kabinetit por vetëm menjë aspekt të tij – me përfaqësimin e gruas në të .
Po kthehem te fillimi i këtyre pak fjalëve që e reflektojnë shqetësimin tim të brendshëm (sepse këtij akti të kryetarit ndoshta më së miri do t’i rrinte një fjalë e vetme edhe pa këta rreshtat e mi – No Comment!). Gjysma e popullatës tonë mbeti e zhgënjyer dje me emërimet e drejtorëve në Gjilan. Gruaja mbeti e respektuar vetëm në retorikën e kryetyarit dhe të LDK e AAK. Ajo në fakt nuk u respektua fare. U anashkalua, u injorua, u minimizua roli, kualiteti e rendësia e saj.
Gratë kanë meritua përherë sepse kanë qenë pjesë e fortë e të gjitha proceseve nëpër historinë tonë deri në çlirim e shtetndërtim. Ato, sot meritojnë shumë më shumë sepse janë gra të shkolluara mirë, të edukuara mirë, me karrierë profesionale dhe politike të ndërtuar bujshëm dhe me kontribute tashmë të verifikuara në secilën fushë të jetës tonë. Është dobësi e veçantë për secilin prej nesh në politikë nëse këto të arritura të femrës tonë nuk i shohim e aq më dobësi është nëse këto të arritura nuk i shohin partitë kryesore në qeverisje dhe kryetari i komunës tonë e cila komunë ka aq shumë femra të vyera.
Të nderuar lexues e posaçërisht ju femrat e komunës time, ishte ky një reagim imi i çastit. Ishte reagim personal dhe instiktiv që unë e qita në disa rreshta mbrëmë para se të shkoja në gjumë. E bëra këtë sepse pasi që u prezantua kabineti qeverisës përbërja e të cilit e kishte shkelur keq femrën tonë, e sigurt jam që nuk do të më zinte gjumi po të mos e kisha “zbrazë” këtë mllef timin legjitim në këto pak fjali.
Besoj shumë që përfaqësimet e gruas në partitë tona politike, shoqëria civile e posaçërisht forumet e gruas të LDK e AAK do të reagojnë edhe më ashpër në ditët që vijnë për këtë tejkalim të madh që aspak nuk është i rastit dhe aspak nuk është nga neglizhenca. Bëhet fjalë për pavendosmërinë e kryetarit për ta mbajtur premtimin dhe mungesën e plotë të guximit të tij e të partisë së tij per t’i sfiduar militantët meshkuj brenda tyre.
Po e përfundoj prapë me konstatimin; Keq, shumë keq. Apeloj dhe shpresoj në këndelljen kolektive për trajtimin meritor të femrës tonë. /2lonline/
Mimoza Shkodra- Bislimi
Zv. Kryetare e Grupi të Grave të Gjilanit