DYLON

Përcaktohet kalendari i “Flakës së Janarit 2014”

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) –  Bordi i manifestimit “Flaka e Janarit 2014” ka mbajtur të premten takimin e parë, nën drejtimin e kryetarit Lutfi Haziri, ku ka përcaktuar kalendarin e aktiviteteve të këtij manifestimi mbarëkombëtar, që mbahet në Gjilan, në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës dhe udhëheqës i Bordit të manifestimit, ka thënë se funksionaliteti i “Flaka e Janarit” do të ruhet, meqë ky manifestim ka krijuar një traditë në Gjilan dhe tashmë është bërë pjesë e identitet kulturor të këtij qyteti, por ka kërkuar reduktim të shpenzimeve në krahasim me vitet e kaluara, sidomos te përfituesit sekondarë.

EkoHigjiena

Përndryshe, “Flaka e Janarit 2014” do të hapet më 11 janar, me homazhet tradicionale te Varrezat dhe Lapidarët e Dëshmorëve si dhe me pritjen e familjeve të dëshmorëve nga kryetari i Komunës, për të vazhduar më 12 janar me akademinë tematike kushtuar 30-vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, që është edhe pikë qendrore përkushtuese e manifestimit të sivjetmë.

“Flaka…” vazhdon më 17 janar me Ekspozitën e artit pamor “Peneli i Flakës”. Në të njëjtën ditë mbahet edhe programi për fëmijë “Xixat e Flakës”. Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës” mbahet prej 20-24 janar, me pjesëmarrje të teatrove shqiptare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.

“Flaka e Janarit 2014” përmbyllet me 31 janar, me pjesët e artit letrar “Pena e Flakës” dhe Orën e madhe letrare, ku shpallen edhe fituesit e konkursit letrar, si dhe me programin muzikor “Fest Flaka”.

Pikëpamjet e tyre në çështjet organizative i kanë paraqitur edhe Sabit Rrustemi, përgjegjës i artit letrar, Luan Shahiqi, përgjegjës i artit pamor, Ali Demi, përgjegjës për artin skenik dhe Mehmetali Arifi, përgjegjës për artin muzikor.

Grupet përgjegjëse do të koordinohen me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Bordi i manifestimit, pas këtij takimi, reduktohet në bartësit e shtyllave kryesore. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.