(2LONLINE) – Është mbajtur takimi i parë i KKSB-së në përbërje të re, në të cilën është diskutuar për çështjen e sigurisë në komunën e Vitisë, organizuar nga zyra rajonale e OSBE-së.
Në këtë takim i cili u kryesua nga kryetari i komunës Sokol Haliti, e ku ishin të pranishëm edhe udhëheqësi i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan Ulrich Bifar, përfaqësues të policisë, FSK-së, komuniteteve etj, situata e sigurisë u cilësua e qetë dhe stabile.
Kryetari Haliti ka kërkuar një angazhim nga anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi që të jenë në nivel të përgjegjësive për të dhënë kontributin në aspektin e sigurisë, e gjithashtu edhe luftimin e dukurive devijonte nëpër shkolla dhe në përgjithësi në shoqëri.
Komandanti i stacionit të policisë në Viti kapiten Agim Lipovica, ka vlerësuar situatën të qetë por ka potencuar problemin e rritjes së numrit të vjedhjeve në komunën e Vitisë që nga fillimi i këtij viti. Për këtë ai ka kërkuar një bashkëpunim më të madh të popullatës me policinë në mënyrë që të parandalohet kjo dukuri.
Edhe nga anëtarët tjerë të këtij këshilli u paraqitën shqetësime të tjera siç është ajo e qenve endacak, dyshimeve për përdorim të narkotikëve në shkolla, dëmtimin e pyjeve etj. Në këtë takim u propozua edhe komisioni prej 5 anëtarëve të KKSB-së për hartimin e planit veprues të këtij këshilli. /2lonline/