Për tre muaj, mbi 74 mijë vizita në shëndetësinë primare në Gjilan
/2L ONLINE / – Bazuar në planin e punës dhe detyrat ligjore, në shëndetësinë primare përditë e më shumë po përmirësohen kushtet në infrastrukturën shëndetësore, ngritje të cilësisë së shërbimeve dhe monitorim të gjendjes së shëndetit të qytetarëve të Gjilanit në përgjithësi.
Angazhime të shumta, përkushtim maksimal, sfida, suksese dhe synime kahë rrugët moderne, janë prezantuar në konferencën me gazetarë nga drejtori i QKMF-së në Gjilan, Fejzulla Berisha, i cili ka elaboruar në detaje punën tre muajore që është kryer në kujdesin primar shëndetësor.
“Për tre muaj, kishim 74 mijë e 523 vizita të pacientëve në shëndetësinë primare. Prej tyre, dominojnë vizitat në mjekësinë familjare, mbi 47 mijë, pastaj prijnë innjeksionet me mbi 28 mijë, për të vazhduar me vizitat në Emergjencë që numri i tyre është mbi 10 mijë dhe në sektorë të tjerë si vizita stomatologjike, infuzione, kujdes shtëpiak për pacientë, pastaj trajtime psikologjike diabet etj. Falë projektit të filluar së zbatuari nga bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe “Caritas Kosova”, është bërë pranimi i një numri të caktuar të punëtorëve shëndetësor, që normalisht janë dhënë më shumë shërbime shëndetësore, ngritje të cilësisë dhe kujdesit shtesë për familjet në nevojë me përfshirjen e gjithë hapësirës, rurale dhe urbane”, potencoi drejtori Berisha.
Ai ka falënderuar me këtë rast të gjitha institucionet lokale dhe qendrore si dhe donatorët për mbështetjen për mbështetjen e vazhdueshme si dhe stafin e shëndetit primar, për angazhimin e përhershëm në dhënien e shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Krahas gjithë këtyre punëve, Berisha ka potencuar vazhdimin e projektit për kontrollat sistematike për nxënësit e shkollave fillore, me qëllim të vlerësimit të gjendjes shëndetësore.
“Cak i kontrollave sistematike janë nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta. Në ekipin e shëndetit primar, në këto kontrolla, janë ekipet nga mjekësia familjare dhe stomatologjike. Kështu do të vazhdohet edhe në vitet e ardhshme dhe në bazë të rezultateve do të bëhen edhe orientimi i politikave shëndetësore në kujdesin primar shëndetësor”, ka thënë në prezantimin e këtij projekti, drejtori Berisha.
Ai ka thënë se së bashku me mbështetjen e kryetarit Haziri, Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF-it, pretendojmë të fillohet edhe projekti tjetër ai për vizitat shtëpiake me theks të përkujdesjes së nënave dhe fëmijëve.
Ndërsa në sektorin e investimeve në infrastrukturë dhe furnizim nga lista esenciale, drejtori Berisha ka paraqitur një pjesë të investimeve që janë bërë për këto dy vjet.
“Për dy vjet, kemi arritur të investojmë dhe përmirësojmë infrastrukturën në 90 për qind të objekteve shëndetësore, duke bërë kështu renovimin e QKMF-së, QMF-së në lagjen “Dardania”, “Arbëria”, “Ramiz Cërrnica”, “28 Nëntori”, “Dheu i Bardhë”, si dhe QMF-të dhe ambulancat në fshatin Malishevë, Uglarë, Pogragjë, Miresh, Livoçi Ulët, ndërsa gjatë ditës së sotme ka nisur edhe renovimi i asaj në fshatin Përlepnicë, të cilës do ti shtohet edhe një aneks që tu përgjigjet kërkesave të banorëve të këtij fshati”, potencoi ai në këtë rast.
Drejtori i QKMF-së në Gjilan tha se sa i përket furnizimit me barëra nga lista esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë, Gjilani qëndron më mirë se asnjëherë më parë.
“Sot kemi furnizim të kënaqshëm dhe lirisht mund të themi se kemi një furnizim të rregullt dhe të knaqshëm që në përqindje arrin deri në 80 për qind”, ka potencuar drejtori Berisha. /2L ONLINE/
