(2LONLINE) – Ekspedita e shtegtarëve që janë nisur në këmbë nga Gjilani për në Bruksel aktualisht ndodhen në Rozhajë të Malit të Zi, ku për shkaqe shëndetësore kryesuesi i grupit “Shtegtarët e Lirë”, Ekrem Avdija do ta ndërpretë rrugëtimin, derisa katër shtegtarë të tjerë do të vazhdojnë rrugën tutje.
Avdija i ka thënë Portalit 2Lonline se është i shtyrë të ndërpretë përkohësisht rrugëtimin e tij për shkaqe shëndetësore. Ai ka probleme me zemër, por ka edhe dhembje në kokë. Siç ka raportuar edhe më herët 2Lonline, Grup i Shtegtarëve ishin sulmuar nga serbet në Graçanicë dhe se pikërisht Ekrem Avdija ishte njëri prej atyre që kishte pësuar lëndime në kokë, pasi ishte grushtuar dhe shqelmuar nga turma e qytetarëve serbe.
Ai thotë se ka dhembje koke nga lëndimet që kishte marrë në atë sulm, por edhe ndihet se as me zemër nuk është mirë (kishte pas më herët një ndërhyrje) andaj i duhet pushimi. Por, ai është i vendosur që marshuta e “Shtegtarëve të lirë”, do të vazhdojë tutje me katër shtegtarë të tjerë (Jahi Mustafa, Nazim Ajdini, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha).
Avdija thotë se për momentin do të qëndrojë në Rozhajë dhe nëse e merr vetën dhe forcohet do të niset në rrugëtim për ti arrit shokët. Ai ka thënë se po priten shumë mirë edhe në Mal të Zi.
Ndryshe, Grupi “Shtegtarët e Lirë”, janë nisur në këmbë prej Gjilanit për në Bruksel, për të përçuar mesazhin e domosdoshmërisë për një lëvizje të lirë, pa viza, për të gjithë, pasi edhe Kosova është Evropë. Simbolika e ecjes drejt Brukselit ka qëllimin e madh që ta përçojnë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës.
Rrugëtimi i tyre parashihet të zgjasë 78 ditësh e ku pritet të kalojnë mbi 2500 kilometra në këmbë deri në Bruksel ku pritet të arrijnë më 17 korrik, në orën 14 e 20 minuta. /2lonline/