/2L ONLINE/ – Për dallim prej PDK-së dhe AAK-së, përfaqësuesit e të cila subjekte sot u deklaruan për Portalin 2L ONLINE, që nuk e duan këshilltarin Srgjan Mitroviq, të jetë pjesë e seancës së radhës të Kuvendit Komunal që do të mbahet këtë të enjte, përfaqësues të LDK-së thonë se lidhur me këtë çështje po e presin vlerësimin nga MAPL-ja dhe KQZ-ja dhe derisa të mos e kenë këtë vlerësim mbi bazën e të cilit edhe do të marrin veprime, anëtari i KK-së Srgjan Mitroviq do të duhej të ishte pjesë e seancave.
Siç dihet, Srgjan Mitroviq, ishte përjashtuar nga seanca e fundit për shkak të. siç është thënë, emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë (“Kryetar i Gjilanit’) dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.
Ndërkohë, shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se janë në proces të vlerësimit të situatës pas emërimit të Srgjan Mitroviqit në institucionet ilegale. “Përmes njësisë së Kuvendit Komunal kemi kërkuar nga MAPL-ja që të bëjë interpretimin e situatës , gjithashtu edhe nga KQZ-ja kemi kërkuar interpretim të situatës në të cilën na ka sjellë ky emërim fantom i Srgjan Mitroviqit. Pasi t’i kemi këto përgjigje nga MAPL dhe nga KQZ ne do të veprojmë në harmoni me rekomandimet e këtyre dy autoriteteve”, ka thënë Aliu i LDK-së.
Ai tha se Srgjan Mitroviq sigurisht se do të duhej të merrte pjesë në seancë përderisa nuk i marrim përgjigjet nga këto dy autoritete sepse nuk do të duhej të ngutemi në këtë rast.
“Vendimi të cilin do ta marrim në harmoni me këtë që e thash më lart, do të duhet të jetë i plotfuqishëm dhe të mos ketë rast që pastaj të zhvleftësohet nga ndonjë autoritet tjetër e aq më pak që ne të jemi të detyruar që të votojmë kundër vendimit tonë ndryshe”, ka thënë Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, në Kuvendin Komunal të Gjilanit. /2L ONLINE/