Për qytetit tim dhe politikanët pa “yndyrë”!
/2L ONLINE/ – Doja t’i “vidhja” pak bukuri qytetit tim, i cili ani pse i harruar këto vite, vazhdon të shkëlqejë si përherë. Por çfarë t’i “vidhja” se, veç bukurisë e zemërgjerësisë që ia ka falur Zoti, njerëzve të këtij qyteti! Çka tjetër?! Zhvillimi dhe investimi në të, ka mbetur si orë e ndaluar e paraluftës së fundit. E, po, ky qytet iu ka bërë dhe iu bënë ballë edhe kur shkelën dhe shkelin mbi të, pamëshirshëm, Millani, Stojani e Dragani…
Por, ky qytet i pranon edhe Isën, Hashimin, Ramushin, Albinin… e ndonjë tjetri. Pranon edhe Lutfia, Qemajla, Ismajla e të ngjashëm… Por, çka që, këta burra këtë qytet po e trajtojnë si plaçkë zgjedhore, ku grumbullojnë vota, me premtime të rrejshme dhe e lënë prapë në harresë, ditën pas zgjedhjeve, deri në raundin tjetër zgjedhor.
Në mungesë të një partie rajonale, përkundër alamet pozitave nga përfaqësuesit tanë të pasluftës nëpër qeveri e parti, këta të fundit, mbeten pakurrizorë dhe të padenjë për të na përfaqësuar, e të cilëve ne verbërisht vazhdojmë t’u besojmë. Pra këta qytetarë dhe ky qytet, vazhdojnë të trajtohen pa dinjitet, dhe në rang më të ulët nga qytetet e qytetarët tjerë të komunave tjera, si ta zëmë, sikurse Mitrovica, Prizreni, Skenderaji, Ferizaj…, apo edhe ndonjë qytet tjetër, nga tanët, se mos të flasim për të tjerët.
Si qytetarë të thjeshtë nuk po mund ta kuptojmë nëse këta politikaj kanë pak “yndyrë” prej njeriu si thotë populli. Nëse premtimin ndaj nesh, e kanë kthyer në përfitim kryekëput për vete, familjen, dhe dashamirët e tyre, Zoti dhe ky popull do tua jap dënimin e merituar, me patjetër. Njerëz të ligë janë të tillët. Të tillë që nga lartësia e të qenurit politikan, i shohin njerëzit si dele për tu mjelë e shtrydhur.
E, ne!? Ne do të jemi këtu… Në të mirë e në të keq.. Sa më herët t’i hapim sytë, të shohim e dëgjojmë me arsye të shëndosh, më mirë do të jetë për ne. E turpin le ta marrin këta… të ligët… politikanët..! /2L ONLINE/
