“Për pushtet jap” një komedi mbirealitetin politik në Maqedoni

(2L ONLINE) – Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës” që po mbahet në Gjilan, në kuadër të manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit 2015”, ka vazhduar me Teatrin e Tetovës, i cili u prezantua me shfaqjen “Për pushtet jap”, me autor dhe regji të Burhan Amitit, i cili njëherësh luajti edhe në skenë, krahas dy aktorëve tjerë,Elmir Sejfullai e Sami Ademi.

Drama e Amitit përshfaq ambiciet për pushtet në Maqedoni, të cilat shkojnë deri në egoizëm, duke e mbajtur publikun nën ethe se kush kënd do të rrahë për karrige, duke filluar që prej postit të një drejtori e deri te pozita ekryetarit.

Në të vërtetë ky ishte një realitet objektiv, që nuk ndodh vetëm në Maqedoni, por edhe gjetiu, i shndërruar në një realitet artistik nga regjisori Amiti.

Pos nga publiku, “Për pushtet jap” u prit mirë edhe nga kritika. Dramaturgu Naser Shatrolli, tha se shfaqja nxjerr në shesh prapaskenat në një mjedis konkret politik, për të arritur deri te një pozitë në pushtet.

Nijzai Ramadani, kritik i teatrit, tha se “Për pushtet jap” është shfaqje e një realiteti të shëmtuar, që si e tillë përpiqet të përcjellë te publiku një mesazh të mirë edukativ.

Kastriot Saqipi, regjisor tha se shfaqja e Amitit është një satirë që godet veset e njerëzve për pushtet.

Josif Papagjoni, dramaturg nga Shqipëria, tha se kjo shfaqje, edhe pse është bërë për një mjedis konkret, arrin të jap mesazhin e saj për gjithë politikanët e paaftë.

Ndërkaq dramaturgu Nebi Islami tha se“Për pushtet jap” është një komedi e situatave dhe e karaktereve, që arriti ta përçojë mesazhin te publiku përmes një aktrimi të bukur./2L ONLINE/

KOMENTE