/2L ONLINE/ – “Sikur për një çast të ishit këtu, pikërisht ku jam unë tani, përballë protagonistes së këtij rrëfimi, dhe të shihnit në të një grua të lodhur, të vyshkur, me peshën e viteve vulosur në gjithë qenien e saj, do të gaboheshit shumë sikur të mendonit se ajo është vetëm kaq, vetëm kjo. Vetulla të trasha, akoma të zeza, mbi sytë e mëdhenj me kapakë të fryrë e të lëshuar, që ngjajnë si perde mbrojtëse rrebesheve të kohës, po aq sa edhe shkëlqimeve lëbyrëse të çasteve. Hundë të drejtë, buzë të plota me një plevit të lehtë përmbi, si mbetje e një buzëkuqi të papërshtatshëm me rastin, të fshirë me dhunë. Jo, kjo grua nuk është vetëm kaq. Besomëni! Kjo grua nuk është vetëm kjo!’
Ishte kjo parathënia e romanit “Për një mëngjes ndryshe” e shkrimtares Albina Idrizi, e deklamuar nga Ekrem Sopi, e cila hapi aktivitetin e dytë kulturor të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, që u mbajt sot, e ku para të pranishmëve, krijues dhe adhurues të fjalës së shkruar, nga troje të ndryshme, për librin në fjalë, me referimet e tyre u paraqitën Ibrahim Kadriu, Ramadan Musliu (në mungesë të tij, kumtesën e tij e lexoi Nexhat Rexha) dhe Mihallaq Qilleri (në mungesë të tij, kumtesën e tij e lexoi Ramadan Mehmeti).
Fillimisht, në emër të organizatorit Ars Club “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi tha se “Vjeshta letrare…”, po rrugëton mbarë dhe para krijuesve dhe dashamirëve të tjerë, sot do të flitet për një roman që ka gjetur lexuesin e tij përmes vlerës që shpalos. E, Ibrahim Kadriu tha se pasi të lexohet kjo vepër të jep mundësitë e meditimit pasi shihet se është ndërtuar mjeshtërisht mbi një realitet të dekadave që i kaluam, e për Ramadan Musliun është roman i realitetit jetësor, derisa për Mihallaq Qillerin, romani “Për një mëngjes ndryshe”, shkrihet në gati 20 vjet ngjarje por, ashtu, magjishëm, lexuesi nuk e ndjen aspak këtë lumë të furishëm të kohës, sepse lënda lidhëse që përdor autorja është shumë e padukshme, imtësisht letrare, gati-gati fine.
Libri “Për një mëngjes ndryshe” i shkrimtares Albina Idrizi në botim të LSHK –së, kishte për editor Flora Brovina, redaktor Abdyl Kadolli dhe Rexhep Qosja recensent. E ky i fundit në recensionit e tij ka thënë se ky është roman për temën e gjithmonshme të letërsisë – për dashurinë.
“Por, e veçanta kuptimisht e rëndësishme dhe arstistikisht posaçërisht e dukshme e këtij romani është dashuria prej autores e quajtur figurshëm ndryshe dhe kjo ndryshe do të thotë: dashuri me përkushtim moral shumë nderimmeritues.
Protagonistja e romanit Ema dashurohet në një të ri, student, me emrin Guri, të cilin rrethanat e kobshme jetësore në mërgim e bëjnë të varur prej drogës. Dhe këtë varësi ai do ta sjellë edhe në vendin e vet kur të kthehet prej emigrimit, natyrisht në sajë të këmbënguljes së pandalshme të Emës.
Përkushtimi i Emës ndaj Gurit dhe fëmijës që ka me të më në fund ia kthejnë jetën dhe kuptimin dashurisë midis tyre.
Romani Për një mëngjes ndryshe, i shkruar në pak faqe, rreth dyqind, por me rrëfim të ngjeshur, dëshmon se Albina Idrizi është shkrimtare me dhunti krijuese dhe këtë dhunti e tregojnë mjeshtëria rrëfyese, pasuria gjuhësore, bukuria e stilit.
Lexojeni këtë roman: do t’ju përvetësojë me ngjarjen shumë përshtypjebërëse, me ligjërimin mjeshtëror dhe me bukurinë e shprehjes artistike.
Mjaftueshëm që të dëshironi roman të ri prej Albina Idrizit, ka shkruar mes tjerash recensenti i këtij libri Rexhep Qosja.
Përndryshe, për romanin ‘Për një mëngjes ndryshe”, u tha se është edhe roman i mbijetesës , i moralit, i njerëzores por në epiqendër ka dashurinë, e vet autorja Albina Idrizi, ka falënderua të gjithë ata që të përkushtuar janë angazhuar, sikur edhe në këtë ngjarje të sotshme kulturore.
Përndryshe, Vjeshta Letrare e Gjilanit vazhdon të shtunën tjetër me aktivitete tjera kulturore. /2L ONLINE/