DYLON

Për ngjyrën e zezë – Poezi nga Sherafedin Kadriu

Për ngjyrën e zezë – Poezi nga Sherafedin Kadriu
Avatar photo Redaksia

Sherafedin KADRIU
PËR NGJYRËN E ZEZË

( Shkëputur nga libri i tij poetik “Kur vdesin ngjyrat”, në nderim të jetës dhe veprës së autorit që sot, më 9 prill 2026, pas një sëmundje të rëndë disavjeçare, ndërroi jetë, në shtëpinë e tij, në Gjilan)

EkoHigjiena

ÇAFKAT
Që kur di për ju, të zeza ju kam pare
***
Sonte
Në këtë muzg që sapo ka nisur
Ç’ju keni turrë drurëve të pakët të pyllit
të Spitalit tim

Në këtë shkurt pa borë si vetë dimri i këtij viti
***
Ngadalë se do t’ma thyeni edhe xhamin e dritares
Mijëra jeni, jo më pak
Kurrë kaq shumë nuk ju kam parë
***
Edhe e zeza paska një të bardhë
***
Çfarë flatrash paskëshit
Sa drejtimesh merrni
Përballë-kaloni, anashkaloni, parakaloni

Sa shpejt ktheheni, e se kur ndaleni
Niseni sërish
Si nuk ndesheni asnjëherë
Çfarë shoferë!
***
Sonte
Do të ha nga mishi i juaj i thartë

Ndoshta e ndalë të bardhën time
Bashkë me frymëmarrjen e zënë në kraharor

***
Çafkat e mia
Atë ditë
Do të mërzitem edhe për bojën tuaj katran.

(E shkruar në messhkurtin e vitit 2023 në Spitalin e Gjilanit)

NË VIGJILJE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
O doktor, doktor Asllani
A t’shkoj n’shpi për Ditë Bajrami”

Këngë vaji e vashave me tuberkuloz, gjatë viteve ‘70 të shek. XX.
Spitali i Gjilanit
1
Sonte,
Nëse nuk shkoj në shtëpi
Ky muzg festiv hundë e buzë bashkë do t’i bëjë

Nesër
Dita e Pavarësisë
Do të zbehet si mermeri i zverdhur

2
Në ditë festash
Çafkat e zeza i kanë merak bebëzat e shterura
Dhe meitin gri

Në krahë legjendash kanë flatruar tufash
Fushëbetejave mbushur me të vrarë
***
O, ti shpirt i kallur etjesh
Ku t’i gjej gjurmët e mëshirës për Ditën e Ringjalljes
Dije,
Po dole s’kthehesh dot
Çafkat po presin …
***
… se unë ka kohë
I kam pastruar plagët me pendlat bojë sterri

(E shkruar në messhkurtin e vitit 2024, në Spitalin e Gjilanit)

HIJA IME
(Mjekëve që ma bënë sëmundjen më të lehtë)
1
Thjeshtësinë e Bukovskit e lexova
Atë ditë kur pushonte hija ime
Nën qarrin e çafkave të zeza

Ç’ma kanë kallur datën ata sqepa të mprehtë

I njoh unë, i njoh
Si paranë e kuqe
Sa me dëshirë do t’ma çukitnin hijen e lodhur
Ato pështirosje me zëra metalikë të çoroditur
* * *
Kujtojnë që jeta mbaron me sy-shterur
* * *
Jeta lyp shumë
Unë i kam dhënë pak

E di Bukovski,
E di
Unë i kam hyrë në hak

2
Vetë e kam mbytë me tym kaçaku
Pa llullë Karadaku
Atë mukozë të çarë pa rrezatim
* * *
E sot,
Hija ime zhdavaritet

Si muzgu i purpurt në perëndimin e kësaj dite
Që pushon hej më tutje
Te Varret e Reja të qytetit tim

(Shkruar nën atë pishën e thatë të Spitalit Pulmologjik, Gjilan, 2025)

FRYMËMARRJE KALLUR
(Dr. Xhevdet Latifit, Spitali Pulmologjik, Gjilan. Shok banke i Gjimnazit).

Rrugët e frymëmarrjes kur kallen flakë
I thonë kancerit
Plaç

Ti nuk vret më keq
O mbret

Një vrap me shpirt nëpër dhëmbë
As pa thirr
As pa u përgjigj

Përplasem si thes i fryrë
Bie e nuk shfryhem
As ngrihem
***
Si nëpër ëndërr
Vjen zëri i gjimnazistit të bankës sime

Rrugët janë mbyllë
Po bëhet mirë
***
Pak më vonë
Shoh sytë në gropë

Sa thellë më paskan hyrë

Pak më vonë
Fill i vetëm
Pa asnjë ndihmë
Ngjis shkallaret për në kat

Nuk e di
Në mos po ngjiten ato bashkë me mua
Se 15 minuta – 30 shkallë …

I gjallë qenkam, i gjallë

Me çafkat do të kuvendoj
Nja shtatë-tetë ditë të mira
*
NË KRYE MOTMOTI
(Në fletoren e Ajanës)

Ka një vit e pak më shumë ditë
Që jemi ndarë
E s’ju kam parë
As malli nuk më kish marrë

Në këtë botë
Larg sysh, larg zemrës
Në atë tjetrën
Nuk e di
***
U takuam ballë përballë
Unë në dritare
Ato prej dika duke ardh’
Bota ime u ndez
I hapa krahët t’i pres
Ato më rrethuan në rreth

Si përdridhen të zezat e mira

Edhe ngjyrën e zërit e paskan ndryshuar
S’është më ai zëri metalik
O mik

Një ngjyrë dashurie ma kaplon shpirtin
***
Çafka moj,
Të mira moj
Që sot po ju lë ftesën time
Për një takim të ri
Në gazmendin tim të vjetër

Ejani

Nipin tim dëshmitar
Guri i thonë
Kurrë me gurë s’ka me ju gjuajtur

(Mars, 2024, Spitali Rajonal, Pulmologjia, Gjilan)

VETMIA
Vetmia vjen me kollën e thatë
E gjakun e pështymë

Shpesh lodhshëm
Për çdo ditë këputet nga një fije

Ikja kthehet për një lamtumirë të vonë

Ndoshta guximi ka me vra vetveten
Para se me qarë ligsht
Para se me i mbyllë dy sytë plot lot

Sa afër e paskam o Zot

Vetëm tre vjet
Po shumë ditë numërohen
Mbi një mijë

E ku t’i marrë njëmijë bardhësi
Me kancerin në mushkëri
Me kollën që pështyn gjak të zi

Hej, hej
Jetë, o jetë
Po…
Kurrë s’u ngika njeriu me ty!

NË KËTË LOJË NUK KA REMI
Asnjëherë s’e kam nxjerrë mbretin në lendinë
Ushtarët po,
Edhe oficerët, se topat e kuajt pa tjetër

Atëherë luaja për të qenë i pari

Tani luaj për ta vrarë kohën i fundit

Si mbret i abdikuar pres ditën e mbramë

Nuk e di në është metaforë
Apo kënaqësi e përkorë

Mjafton të takohemi pak para matit
Se në këtë lojë nuk ka remi

Humbja është e ditur!

Ngre kokën kah muri
Pesë minuta paskan ikur nga nuri im

NË FUND TË VETMISË
(Unë ekzistencialisti)

Përditë përsëris monotoninë
E, në çdo mbrëmje vdes me gjumin

Ndonjëherë s’e përfill dënimin
E absurdi më kap për fyti
Sytë zgurdulluq më dalin

Më ngreh zhagas pa farë ndrojtje
Drejt pafundësisë

Me thënë të drejtën
Unë jam pak frikacak
E shikoj me dyshim ndryshimin e fundit

O ti miku im,
Udhët e shtrembëra nuk drejtohen me fjalë
Kot e ka Kamy
Predikon pa e dëgjuar Niçen

Kush është ai trim
Që të ofron përvojën e vdekjes

Një trohë vëmendje, ju lutem

Vetëvrasjes time sot
Pak para gjykimit tuaj

PARA SE ME U SHTRI’ …*
Mos ma lidhni gojën me metaforë
Se më kanë rënë dhëmbët e bëhem horë

Ditën e fundit

Me qefin të bardhë si bora mbulomani trupin
Ta ndjej afshin e dheut të varrit tim,
Para se me u shtri në dritën e zezë

Për herë të parë kam me bërë udhën e fundit
Pa i lyp sy Zotit

As juve nuk ju lodh shumë
Vetëm pak hapa
Lutjen e fundit ma këndon
mbesa ime, Ana

Testament fjalësh
Loçka e gjyshit

***
Ah, porosi si poezi,
po e vështirë për t’u shkruar vetë
Po i ruaj mendtë, nuk po çmendem krejt…