/2L ONLINE/ – “Mbi 400 mijë shërbime shëdetësore janë dhënë për qytetarët e Gjilanit nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, QMF-të dhe AMF-të për këtë vit”. Me këtë informatë e ka nisur konferencën për media drejtori i QKMF-së “Dr.Nagip Rexhepi” në Gjilan, Fejzulla Berisha, i cili ka paraqitur një kronologji të të arriturave dhe sfidave gjatë nëntë mujorit të punës.
“Në fillim të vitit në bashkëpunimin mes Komunës së Gjilanit, MSH-së dhe Caritas Kosoava, është bërë pranimi i një numri të caktuar të punëtorëve shëndetësor, me ç’rast është përmirësuar dukshëm shërbimi shëndetësor, është bërë ngritja e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve dhe kujdesit shtesë për familjet në nevoj në gjithë hapësirën e Gjilanit. Gjatë muajit shkurt është emrëtuar QKMF me emrin e doktorit Nagip Rexhepi. Po ashtu, gjatë këtij viti kemi filluar zbatimin e statutit të ri të aprovuar nga Kuvendi komunal, duke pasuar me aktivitetin tjetër për kontrollat sistematike për nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Gjilanit, duke përfshirë nxënësit e klasave të para, pesta dhe të nënta dhe rezultatet do të publikohen së shpejti”, ka thënë drejtori Berisha, në adresimin para gazetarëve.
Ai ka përmendur konferencën “Vizitat shtëpiake dhe përkujdesja e nënës dhe fëmijëve”, të mbajtur këtë vit nën organizimin dhe mbështetjen e UNICEF-it, Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Tashmë ky program ka filluar së aplikuari me një staf të përgatitur në aspektin profesional dhe ky program është duke funksionuar normalisht me vizitat shtëpiake të përkujdesjes së nënës dhe fëmijës”, ka thënë Berisha.
Ai ka informuar se në investimet publike dhe në infrastrukturë janë bërë ndryshime të mëdha duke u krijuar kushte komode për trajtimin dhe ndihmën që jepet për pacientët e Komunës së Gjilanit dhe më gjerë.
“Falë përkrahjes së madhe të parezervë të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, kemi arritur që për dy vjet të invesojmë dhe përmiresojmë infrastrukturën në 95 për qind të objekteve shëndetësore, në një vlerë prej rreth 200 mijë euro”, tha ai.
Drejtori i QKMF-së në Gjilan ka bërë të ditur se edhe sa i përket furnizimit me barna dhe material tjetër hargjues nga lista esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë qëndrojnë mjaftë mirë, duke shtuar se vetëm me insulinë është bërë furnizimi i mbi 1 mijë pacientëve të rregullt, për të vazhduar edhe me dhënien e vaksinave kundër gripit sezonal për moshat e caktuara.
“Kujdestaria dhe ndihma e shpejtë janë 24 orë në shërbimin e pacientëve, ndërsa qendrat tjera shëndetësore në kuadër të shëndetësisë primare, kanë punuar sipas orarit të përcaktuar gjithnjë duke marrë për bazë, kërkesat e qytetarëve dhe nevojat”, ka nënvizuar ai.
Lajm tjetër të mirë për nivelin primar të shëndetësisë, Berisha ka dhënë edhe për hapjen e procedurave të prokurimit për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së.
“Ndërkaq, aktivitetet tjera kanë vazhduar për edukimin, promovimin dhe mbështetjen e qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmën e mjekut, sikur që janë shënuar edhe të gjitha ditët ndërkombëtare me aktivitete simbolike në kuadër të promovimit të një jete të shëndoshë për të gjithë qytetarët e Gjilanit”, ka përfunduar drejtori Berisha, pasi u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarëve. /2L ONLINE/