Për mahi e për njëmend – Kumara Kamer!
Nga: Femi Halimi
Në kohë të socializmit në ish Jugosllavinë ku ishim edhe ne, kush bënte nëntë fëmijë bëhej kumarë me Titon. Kumaria buronte nga dëshira e tij që të përkujtonte familjen e vet, e cila kishte pasë ashtu nëntë fëmijë!
Kur i bëri Kameri ashtu nëntë fëmijë, i shkuan te dera sekretari i Partisë dhe një milicioner dhe i lëshuan te pragu një paketë me rroba e shumçka tjetër në të si dhe e njoftuan se ishte bërë kumarë me Titon e se duhej të shkonte kur ta njoftonin në ditë të lindjes së Titos për këtë në Beograd bashkë me shoqen.
Ashtu ndodhi kur erdhi dita e lindjes së Titos që ishte 25 maji. Ai ishte në të vërtetë i lindur më 7 maj 1892, por ditëlindjen e kishte rregulluar më 25 maj që ta festonte bashkë me rininë. Këtë ditëlindje e kishte ndreqë vetë në përkujtim të shpëtimit nga zënia nga gjermanët në Dërvar, më 25 maj 1944 në një desant ku për çudi Tito kishte shpëtuar.
Mandej ashtu erdhi dita a nata e ditëlindjes së Titos. Xhipi i milicisë me sekretarin një ditë më parë u ngjitën në Malësi ku jetonte Kameri dhe e muarën bashkë me të shoqen teposhtë në qytet, ku buajtën kamerovitët te sekretari e të nesërmën drejt e në Beograd te Tito! U erdhi radha të hynin mbrenda përfaqësuesve nga Kosova, pasi nga Kosova kishte edhe shumë të tjerë, si nga të gjitha viset, që kishin shkuar te kryetari për përhajrim!
Të gjithë shkonin e ia uronin kryetarit të vendit atëherë ditëlindjen, e radha i erdhi edhe Kamerit me sekretarin e të shoqën e vet dhe këta u nisën drejt nga Tito, që ishte larg besa 100 metra sa iu duk Kamerit, prapa do vitrinave të mëdha të zbukuruara me lule e enë shumë!
Në radhë anash para se të arrinin te Tito ishin renduar personalitete të shumtë shtetërorë deri te kryetari, vendorë e ndërkombëtarë dhe me të gjithë ata duhej përshëndetur Kameri me të shoqën e sekretarin. Po më e vështira ishte se përshëndetja shkonte me puthje e kjo për te kamerovitët ishte e rëndë por nuk kishin çka të bënin dhe ia grahën edhe këta sikur të gjithë, me përshëndetje e me puthje të forta!
Shkoi kjo disi deri dikund, deri nga mesi i radhës, po pas mesit aty dikund shoqja e Kamerit ra përtokë! E ngritën si pa shpirt, e nxorrën jasht, e dërguan te ambulanta e kryetarit që ishte ngat krejt, ia dhanë dy injekcione mjekët dhe shpejt gruaja u këndell dhe u kthy në solemnitet.
Vazhduan me përshëndetje e me puthje, e më në fund arritën te kryetari dhe ia uruan ditëlindjen, e njëherit sekretari njoftoi kryetarin se kjo familje kishte nëntë fëmijë dhe se ishte bërë kumarë tani e tutje me të. Kryetari qeshi fort, shumë u gëzua dhe i përshëndeti edhe njëherë, i përshëndeti edhe e shoqja e tij Jovanka dhe me këtë kjo punë përfundoi, pa ndodhë diçka më e madhe.
-Ma mytën gruen! –iu qajt sekretarit Kameri kur dualën jasht e kah shkonin kah vetura zyrtare.
-Edhe unë nuk e kam ditë këtë! –ia ktheu sekretari! -Këta e kanë traditë puthjen për çdo rast e për çkadoqoftë. Gratë tona nuk kanë përgatitje për puthje të forta kështu!
-Po çfarë adeti o ky more, me ta puthë gruen!? –shfrau Kameri, -edhe këtë dyqind vetë, pllup, e pllup!…
Kjo puna kumarllëkut por kishte qenë me bisht! Pas dy vjete Kameri e solli edhe një fëmijë, por aty i dual keq puna se 10 fëmijë i kish pasë familja e Rankoviqit, ani edhe më keq sepse Rankoviqi shumicën e fëmijëve i kish pasë me një dashnore të fsheht dhe kjo punë u bë edhe më e madhe sepse agjentët e çuan këtë ngjarje te kryetari dhe ai e thirri Rankin a Lekën si e thirrnin ndryshe e, e bëri për pesë pare. Po te Rankoviqi konsideroheshin për kumarë fëmijtë e tij, jo të prindëve të tij, në çka mandej Tito e partia i kërkuan falje. Sidoqoftë Kameri e hëngri!
Shi për këtë sekretari shkoi me xhip sërish te dera në Malësi dhe e njoftoi se e kishte prishë kumarinë me Titon, e se Gjykata për shpejt ia kishte nda 3 muaj burg për këtë, që kishte tash 10 fëmijë, sa kishte Rankoviqi në familje të vet, jo të prindëve, e se kryetari me Rankin ishin prishë! Shkoi Kameri, mbajti 3 muaj burg dhe dual, kryet dru, pa ditë se çka po i ndodhte!?
Mandej Kameri e suall edhe një fëmijë në jetë, të 11 –in. Edhe për atë fëmijë Gjykata ia ndau 3 muaj burg sepse aq fëmijë kishte pasë familja e Stalinit! Shkoi Kameri e i mbajti 3 muaj burg dhe dual edhe më i hapareshur! Mandej si mendoi e shmendoi, vendosi të ikte në Perëndim, në Gjermani, se këtu tha nuk i kishte mbetë më vend. Po fëmijë i kishte renditë më katërmdhetë!
Shkoi ashtu një ditë te Enti për Punësim në Gjilan dhe në koridor si hyri bërtiti të madhe, ia shau nënën me sa mundi kryetarit të Komisionit që bënte Listat e Puntërove që duhej të dërgoheshin në Perëndim për punësim të përkohshëm si thonin atëherë. Ia shau rrast Komisionerit tre mijë nënat në koridor plot njerëz edhe para milicisë që ishin aty nëpër qoshe, po edhe milicisë ua shau shtatqind nënat!
E kapën Kamerin dhe e futën me dhunë tek kryetari i Komisionit për Punë në Botën e Jashtme. Njerëzia në koridor përplot e të stërlodhur mendonin se do ta mbytnin krejt, por Kameri dikur dual, i qetë e i prajshëm, me një qeshje të strukur në majë të syve e gojës, sikur liqeni i Livoçit në tetor, i shterrur pas një vere të thatë shumë!
Kameri ashtu kur i erdhi dita si i shkruante në dokumente iku në perëndim dhe prej atëherë u bë gastarbajter e mërgimtar. Kishte ndie të tjerët si e mallkonin mërgimin me punë, por që Kameri pau se mërgimi ishte i mirë, se e mbushi Kamerin me marka e franga dhe e bëri shumë të pasur!
Ishte vështirë ama frangat e markat i erdhën me vite e vite dhe me to bleu e ndërtoi, martoi fëmijtë e i shkolloi dhe i qiti njësoj në Perëndim, por pasi edhe ata ua shanë rend Komisioneve të Punësimit dy –tre mijë nënat e milicisë shtatqind nënat, se ashtu duhej, kush mendonte të shkonte në mërgim në Gjermani, me punë të përkohshme si i thonin.
Po pas do kohe Kameri shkoi e ruante një plakë atje në Gjermani, me pagesë të mirë e me tëra të mirat, sa edhe shtëpinë i thoshte ajo plaka se do t’ia linte në trashëgim, por Kameri nuk u durua të pritëte të vdiste plaka, po një mbërmie ia mblodh çka pati plaka me vlerë në shtëpi, prej lugëve të argjenta, arit e argjentin personal të nusërisë të plakës, mandej edhe një dyzinë bagazhesh stërplot me rroba e sende tjera me vlerë dhe iku nga Gjermania, e nuk guxoi më të kthehej kurrë atje, sepse e dinte se policia e prokuroria gjermane do ta zinin.
Mirëpo një ditë i erdhi një thirrje të lajmërohej në Ent të Pensionerëve, ku i thanë se duhej të shkonte në Gjermani e të merrte një shpërblim, sepse kishte 14 fëmijë, sa kishte pasë atëkohë Bashkimi Europian anëtarë, e se ishte bërë kumarë edhe me Europën e Bashkuar!
Pas do dite i erdhi edhe një ftesë të shkonte në Kanada e SHBA për një kremte, që ishte Dita e Falënderimit, e që i kushtohej falnderimit që europianët ua bënin për çdo vit vendorëve atje ku kishin shkuar e mbetur, për ushqimet që u kishin bërë ata vendorët, si duhej t’i njihnin frytet e tokës e pemëve e perimeve që duheshin t’I njihnin për t’i ngrënë e për të mos u helmuar!
Shkoi Kameri edhe andej detit e ndejti sa ndejti e u kthy dikur, se njeriu si guri në hava shkon sa shkon te lart, kthehet në tokë, po edhe në kojshi po e gjuajte një gur, të kthehet në shtëpi!…
U kthye Kameri në fund dhe e vazhdoi jetën e vet që I kishte mbetë në shtëpi e rreth shtëpisë, se për më larg më nuk kishte mbetë, sa as veturës nuk mund t’i grahte më se i merreshin mendtë.
Ashtu Kameri u struk viteve në vijim të jetës së tij në shtëpi e përreth shtëpisë, e punonte ngapak tokë e kopshtije, e disi si u rritën edhe fëmijtë edhe pak më mirë u ndreq dhe kohën mandej e kalonte prajshëm dhe qetë në pleqëri.
Koha e socializmit ishte e shkoi mendonte Kameri, qeveritë u ndrruan, shkoi edhe pushteti sërb, erdhën tanët e të huajtë, e që Kameri gjë nuk kuptonte se çka bëhej, veç e dinte se jeta nuk i kishte shkua mirë si e kishte mendua e se prej se u pështoll me atë farë kumarie me kryetarin, gjithçka i shkoi mbrapsht!
-S’un i rashë në fije kësaj bote!? –u thoshte njerëzve në ndeja, -isha kumarë me Titon, kumarë me Rankoviqin, kumarë me Gjermaninë, kumarë me Bashkimin Europian, kumarë me Amerikën!…Kujtë hajrin s’ia pashë, -veç po, që më kanë mbetë q’eto shpia po, e do tokë e mal atje në katun po, e do banesa, e do euro në bankë!…
Njerëzit qeshin me te, se Kameri nuk don të shplohet e të pranon se ia kishte pa hajrin gurbetit.
“-Po mos t’kish qenë gurbeti, kishim cofë për bukë” – ua rrotullon mandej gjithmonë Kameri për politikë, sa t’ua mshelë gojën të tjerëve edhe mandej gojën s’e qelë më!… /2LONLINE/
