DYLON

Për Këshillin e Evropës debatojnë edhe shërbyesit civil në Gjilan

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Është mbajtur ligjëratë për themelimin, funksionimin, rëndësinë, dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, me Shërbyesit Civil të Komunës së Gjilanit nën organizimin e Asociacionit “Kosova – Ansambël” nga Franca, dhe ligjërues Ilir Mustafën, në bashkëpunim me Zyrën për Integrime Evropiane.

Me këtë rast debatin e ka hapur zyrtari për Integrime Evropiane në Komunën e Gjilanit, Burim Elezi, i cili ka thënë se nga kjo ligjëratë – debat, shërbyesit civil por edhe të pranishmit e tjerë kanë mundësinë të njihen më tepër me Këshillin e Europës, historikun e themelimit, institucionet të cilat kanë dalë përmes këtij këshilli, funksionimin, por edhe procesin të cilin duhet ndjekur drejt anëtarësimit, shtetet të cilat kanë qëllim këtë institucion i cili përbëhet nga përfaqësuesit e 47 shteteve.

EkoHigjiena

Ndërsa, Ligjëruesi Ilir Mustafa, i cili është veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, lobues për avancim dhe kthim të vëmendjes evropiane drejtë Kosovës, që jeton dhe vepron në Strasburg, tha se ky debat ka për qëllim që të sensibilizohet opinioni publik me vlerat kulturore të Këshillit Europian, me rëndësinë e të qenit anëtar i institucioneve që janë në kuadër të këtij Këshilli.

Ndërsa të pranishmit kryesisht janë ndalur në aspektin e procesit të anëtarësimit në këtë institucion të lartë, por edhe në mundësitë që dalin nga të qenit anëtar në procesin e demokracisë dhe zhvillimit në përgjithësi për Kosovën në të ardhmen.

Java e Europës në Gjilan është përgatitur për të informuar qytetarët dhe grupe të ndryshme, duke nisur nga nxënësit, studentët, shërbyesit civil etj, për rëndësinë e këtij institucioni me rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Republikën e Kosovës e cila synon anëtarësimin në këtë organizatë shumë të madhe dhe me një përfaqësim të 47 shteteve, ku prej tyre Kosovën deri më tani e kanë njohur 34 sosh.. /2L ONLINE/