(2LONLINE) – Udhëheqësia e Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan, edhe pas humbjes epike që pësoi në zgjedhjet lokale të vitit që shkoi, nuk po arrinë as sot të jap provën e duhur të përgjegjësisë politike dhe morale për gjendjen në të cilën është katandisur. Për fat të keq të pjesës më besnike të votuesve të PDK-së, vetëm udhëheqësia e kësaj dege është ajo e cila ende nuk e ka përjetuar rënien e saj politike në kuptimin e plotë të fjalës. Përndryshe, si shpjegohet fakti që akoma askush nga përgjegjësit kryesor të saj asesi t’a njohin aktin e dorëheqjes edhe pas disa muajve të kësaj mënxyre që ndodhi?!
Shikuar nga përgjumja të cilën po e tregojnë në raport me (mos)zhvillimet politike infrastrukturore në Komunën e Gjilanit, udhëheqësit kryesor të PDK-së, respektivisht kryesia e degës duket se ende nuk është akomoduar me ndjenjën e të qenurit opozitë gjatë këtij mandati në nivelin lokal të qeverisjes së Gjilanit.
Fjalët që dalin nga qarqe të ndryshme na bëjnë me dije se atje, për fat të keq, akoma po vazhdon avazi i vjetër (sikur gjatë kohës kur ishte në pushtet) i luftës së brendshme ndërmjet fraksioneve politike të krijuar gjatë zgjedhjeve të fundit partiake. Kjo gjendje së fundi ilustrohet me betejën politike që është bërë me rastin e caktimit të pëfaqësuesit të grupit të këshilltarëve komunal të kësaj partie në kuvendin e komunës.
Mendoj se ky trend duhet te ndalohet dhe ky subjekt më në fund ta kuptojë që është subjekti më i madh opozitar ne Gjilan, prandaj veprimet e saja nuk duhet të jenë qëllime për veten e saj, por për progresin e përgjithshëm të shoqërisë së komunës. Gjendja e krijuar pas zgjedhjeve lokale është sinjal se në sy të qytetarëve (përkundër shumë sfidave dhe goditjeve të ulëta që ka pësuar) ky subjekt politik mbetet serioz dhe i besueshëm. Ky vlerësim duhet t’i shërbejë këtij subjekti si kurajo për të përmirësuar veten në rend të parë dhe pastaj të tjerët.
“Këmbana” që ra në zgjedhjet e fundit tregoi se edhe në të ardhmen në skenën politike të Gjilanit antipod vërtetë i Partisë Demokratike të Kosovës është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe anasjelltas. Në esencë këto dy subjekte mbesin dy koncepte ideologjike bosht rreth të cilave në të ardhmen do të zhvillohen kundërshtitë politike në këtë komunë. Motiv shtesë padyshim duhet të jetë fakti se Partia Demokratike e Kosovës gjatë viteve të ekzistencës së saj ka arritur që pranë vetës të mbledhë kuadro të fuqishme dhe individë të çmueshëm nga profesione të ndryshme, të cilët lakmojnë t’I kenë në gjirin e tyre shumë parti tjera konkurrente.
Koha nuk pret, prandaj PDK në Gjilan duhet të tejkalojë me elegancë telashet e së kaluarës dhe ti rreket punës për ta luajtur rolin të cilin i ka përcaktuar sovrani, pra rolin e opozitës.
“Këmbana” e PDK-së duhet të bie kundër diskursit shterrpë të politikës aktuale, e cila po ngelë në nivel të ankesave, ajo duhet të shpërfaqë dyshimin për mungesën e dijes, ambicjes dhe vullnetit politik të këtij pushtetit për të bërë zgjidhjet e nevojshme të problemeve të trashëguara dhe të atyre që paraqiten aty për aty.
Qytetarët e Gjilanit kanë nevojë për një dritë në fund të tunelit në çështjet dhe kërkesat e tyre kryesore, prandaj votuan ndryshimin.
Për fillim, duhet të kërkohet që sa më shpejtë të nxirret nga sirtari dhe të vihet në veprim plan-projekti për nxerrjen e Komunës së Gjilanit nga depresioni ekonomik të cilin e prezantoi gjatë fushatës zgjedhore pushteti i tashëm. Ky është edhe prioriteti i qytetarëve.
Pastaj, premtimi për uljen e vlerës së tatimit në pronë për 60 % dhe subvencionet për bizneset e vogla, sepse taksat për biznese janë hequr më herët…
Statusin që e gëzojnë sot aktorët e Teatrit të Qytetit në Gjian, a merret dikush tash me këtë strukturë profesionistësh?
Apo sportistët nëse janë të kënaqur me trajtimin që po ju bëhet aktualisht?!
Edhe për shumë çështje tjera të shoqërisë në komunë!
Ky është roli i opozitës në demokraci, të cilën duhet ta luaj tash PDK në Gjilan. Më mirë vonë se kurrë!
Veton Nevzadi
/Titulli i huazuar nga titulli i veprës “Për kë bie këmbana” i shkrimtarit amerikan Ernest Hemingway/