Për Grupin Jo Formal të OJQ-ve, brengosëse mos konstituimi i Qeverisë Komunale

(2LONLINE) – Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të ka mbajtur takimin e radhës për të analizuar zhvillimet e ndryshme në komunën e Gjilanit dhe lidhur më këtë ka lëshuar këtë komunikatë për media:

“Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Gjilanit përshëndet zgjedhjen e Valentina Bunjakut si kryesuese të Kuvendit Komunal të Gjilanit si dhe emërimin e Labinota Murtezit në pozitën e drejtoreshës për Shëndetësi. Me këtë, dëshmohet rëndësia por edhe tendenca për fuqizimin e rolit të gruas në udhëheqjen e komunës së Gjilanit.

Megjithatë, është brengosëse mos konstituimi i Qeverisë Komunale të Gjilanit përkundër që certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale të nëntorit është bërë muaj më parë. Duke pasur parasysh që qytetarët e Komunës së Gjilanit janë të preokupuar më probleme të ndryshme, konstituimi i qeverisë komunale do të duhej të ishte një prioritet në mënyrë që organet kompetente të ballafaqohen me zgjidhjen e këtyre problemeve. Për këtë arsye, kërkojmë nga kryetari i komunës që sa më parë të bëjë emërimin e drejtoreve të drejtorive komunale.

Në këtë kontekst, Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Gjilanit, kërkon nga kryetari i komunës, respektivisht organet kompetente komunale, që sa më parë të zbardhet çështja e “borxheve të trashëguara” nga qeverisja e mëparshme respektivisht të qartësohet se sa është kjo shumë dhe të qartësohet për opinionin gjithashtu për keqpërdorimet eventuale të qeverisë së kaluar. Siç dihet, fushata zgjedhore ka evidentuar pohimet se Komuna e Gjilanit është e zhytur thellë në borxhe dhe se shuma e këtyre borxheve është përmendur se kalon vlerën prej 7-8 milion eurove.

Po ashtu, Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Gjilanit ka identifikuar një tendencë e politizimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVLR). Lidhur me këtë, kërkojmë nga institucionet relevante komunale që janë të ndërlidhura me funksionimin e KVLR-së, respektivisht nga zyrtari komunal për rini të deklarohet lidhur me këto zhvillime. Shih për këtë, ne si Grup Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Gjilanit e kundërshtojmë fuqishëm çfarëdo tendence për politizim të këtij organizmi rinor që është një ombrelle e organizatave rinore të Komunës së Gjilanit

Gjithashtu, inkurajojmë udhëheqjen e KVLR-së që të angazhohet sa më shumë në mënyrë që ky organizëm rinor të jetë i fuqishëm dhe të artikulojë në mënyrë të qartë problemet rinore në Komunën e Gjilanit dhe të jetë pjesë e zgjedhjeve të këtyre problemeve.

Në fund të kësaj komunikate, Grupi Jo Formal i Organizatave Joqeveritare të Gjilanit, shpreh interesimin që të jetë pjesë aktive në zgjidhjen e problemeve në sektorë të ndryshëm sikur që do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm dhe maksimal të udhëheqjes komunale për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e Komunës së Gjilanit e që nuk janë të vogla. Po përmendim vetëm disa më kryesore: problemi me ujë të pijshëm, problemet të ndryshme në arsim, në zhvillimin ekonomik, probleme urbanistike, etj”. /2lonline/

KOMENTE