DYLON

Për gjeneratat e reja që nuk e dinë

Për gjeneratat e reja që nuk e dinë
Avatar photo Redaksia

Nga: Ardian Azemi

Ka pasur një kohë, jo fort larg nga sot, kur lumturia ishte e thjeshtë. Dy a tre shokë, një kafe e ngrohtë dhe një muhabet që s’kishte fund. Pa interesa, pa llogari, pa fjalë të matura me peshore. Vetëm zemra që fliste me zemër.

EkoHigjiena

Ka pasur gëzim të vërtetë kur i dilnim në krah njëri-tjetrit, kur suksesi i shokut na dukej si suksesi ynë, kur buzëqeshja e tjetrit na mbushte shpirtin. I gëzoheshim familjarit, mikut, madje edhe atij që pak ose aspak e njihnim. Sepse gëzimi ndahej.

Kishim pak. Shumë pak. Por ishim të pasur në shpirt. Ndoshta pikërisht pse nuk kishim shumë, nuk ëndërronim shumë për të nesërmen. Jetonim sot. E sotja na mjaftonte. Se kur vrapon pas së ardhmes, shpesh harron ta jetosh të tashmen. E vitet ikin… pa u ndier.

Kur kthen kokën pas, e kupton që ke humbur kohën duke pritur një lumturi që duhej ta kishe jetuar atëherë.

Nuk kishim zili.

Nuk kishim inate për suksesin e tjetrit.

Të mirat e të këqijat i bartnim bashkë. Kur miku na thërriste për kafe, e dinim që s’na thërriste për asgjë tjetër veçse nga malli. Fjala interes nuk ekzistonte. As në fjalor, as në mendje. Dashnia ishte e pastër, e vërtetë, pa hile e pa prapaskena.

E sot… sot është ndryshe. Sot është rëndë. Shoqëria është mbushur me interesa, me llogari, me maska. Shoqëria e pastër është bërë e rrallë. E sinqerta, gati e zhdukur.

Sot kemi më shumë gjëra, por më pak shpirt. Më shumë pasuri, por aspak qetësi. Nuk dimë me u gëzu për tjetrin, sepse suksesi i tij na dhemb.

Lumturia e tij na kujton zbrazëtinë tonë. Në vend që të ndërtojmë veten, rrënojmë tjetrin me fjalë, me urrejtje, me zili.

Sa shumë kemi rënë.

Sa larg kemi shkuar nga vetja jonë.

Sa të varfër jemi bërë, edhe pse dukemi të pasur.

Sa të pashpresë kemi mbetur.

Keq… shumë keq! /2LONLINE/