/2L ONLINE/ – Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës, përmes një kumtese të saj, ka reaguar përkitazi me, siç thonë, gjendjen e rëndë në Teatrin e Gjilanit dhe kërkesat e ligjshme të aktorëve të këtij teatri për nënshkrimin e kontratave të punës.
Ja reagimi i plotë i kësaj Shoqate:
Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se, si rezultat i injorimit, i përbuzjes, i mashtrimit, i demagogjisë politike dhe i trajtimit të padinjitetshëm nga Komuna e Gjilanit, gjendja aktuale në Teatrin e Gjilanit, ngjashëm me një vit më parë, vazhdon të jetë e rëndë, e mjerë, e pashpresë dhe me prirje të përkeqësimit të saj të mëtutjeshëm. Praktikisht, që prej dy vitesh, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga autoritetet komunale, Teatri i Gjilanit, përveç disa improvizmeve sporadike, nuk ka qenë në gjendje që të krijojë shfaqje të reja e, në mungesë të tyre, as politika të mirëfillta repertoreske. Kjo gjendje vazhdon të jetë e këtillë edhe në tre muajt e parë të këtij viti, kur, përkundër hartimit ideor për repertorin e këtij viti, Komuna e Gjilanit ende nuk i ka kryer detyrimet e saj buxhetore ndaj këtij teatri.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së konstaton se, përveç mungesës së mbështetjes financiare për krijimin e shfaqjeve, gjendja në Teatrin e Gjilanit vazhdon të jetë e mjerë edhe për faktin se, përkundër premtimeve të vazhdueshme nga autoritetet komunale, aktorët dhe stafi teknik i këtij teatri, që nga dhjetori i vitit 2014, edhe më tutje vazhdojnë të jenë pa kontrata pune, ndërkohë që ky teatër, që prej disa vitesh, në kundërshtim me Ligjin për Teatrot, vazhdon të veprojë pa Udhëheqës Artistik dhe pa një strukturë të konsoliduar të Ansamblit Rezident të Aktorëve. Kjo gjendje tashmë është shndërruar në një status quo të rrezikshme dhe me pasoja rrënuese për këtë institucion të rëndësishëm artistik dhe kulturor, i cili, si rrjedhojë e politikave të mbrapshta të autoriteteve komunale, praktikisht nuk funksionon fare.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së përkujton se, në përputhje me Nenin 19 (Pika 3) të Ligjit për Teatrot, Komuna e Gjilanit është e obliguar që t’i sigurojë dhe t’i destinojë mjetet financiare për veprimtarinë e artistike, krijuese, administrative dhe menaxhuese të Teatrit të Gjilanit. Në këtë kontekst, Bordi Ekzekutiv i SHATK-së shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e tij të fuqishme për kërkesat e ligjshme të aktorëve të këtij teatri në adresë të Kryetarit të Komunës së Gjilanit për nënshkrimin e kontratave të tyre të punës, për respektimin dhe zbatimin e ligjit, për rikthimin e dinjitetit dhe për respektimin e të drejtës së tyre për të punuar dhe për të krijuar.
Bordi Ekzekutiv i SHATK-së fton Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri që, në funksion të respektimit të Ligjit për Teatrot, t’i trajtojë urgjentisht kërkesat dhe nevojat financiare të Teatrit të Gjilanit, përkatësisht: ta ndajë buxhetin për repertorin artistik të këtij teatri për vitin 2016, t’i nënshkruajë kontratat e aktorëve e të stafit teknik, të përshpejtojë procedurat e shpalljes së Konkursit për Drejtorin e Përgjithshëm të Teatrit, të Konkursit për Udhëheqësin Artistik, të Konkursit për pranimin e aktorëve dhe konsolidimin e Ansamblit Rezident të Aktorëve, si dhe të Konkursit për pranimin e stafit teknik. Mungesa e veprimit urgjent për realizimin e këtyre kërkesave të ligjshme do ta rrënojë përfundimisht institucionin e Teatrit të Gjilanit dhe, si e tillë, do të vlerësohet si shkelje e rëndë dhe e qëllimshme e ligjit, kundrejt të cilit Komuna e Gjilanit dhe Kryetari i saj kanë detyrime institucionale dhe juridike.
Prishtinë, 17.03.2016 Bordi Ekzekutiv i SHATK-së