Në kuadër të takimeve për njoftimin rreth procesit për mbledhjen e premiumeve për sigurime shëndetësore, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani sot takoi Kolegjiumin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Asociacionit të Komunave.
Ministri Rrahmani njoftoi të pranishmit me aktivitete e kryera deri më tani në kuadër të përgatitjeve për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurime shëndetësore, ku tha se për funksionalizimin dhe qëndrueshmërinë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, rol të rëndësishëm luajnë komunat gjegjësisht drejtoritë përkatëse dhe institucionet shëndetësore të nivelit primar.
Ai tha se “MSh është në fazën përfundimtare me përgatitjet për fillimin e mbledhjes së premiumeve për sigurimet shëndetësore, dhe poashtu po punohet intenzivisht me qëllim të përgatitjes me fillimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në kohë sa më të afërt për qytetarët e vendit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”.
Ministri Rrahmani ndër të tjera tha se “politikë e MSh-së është fokusi për fuqizimin e kujdesit primar, dhe jemi duke e shtyrë para avancimin e Konceptit të Mjekësisë Familjare, duke synuar realizimin e qasjes së më të lehtë të qytetarëve në shërbimet shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë së këtyre shërbimeve”.
Kryesuesi i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Asociacionit të Komunave, Arben Vitia, ka falënderuar Ministrin Rrahmani për mbështetjen që po i jep Kujdesit Parësor Shëndetësor, dhe poashtu ka njoftuar për aktivitetet që kryhen në kuadër të këtij kolegjiumi.
Në takim, përveç diskutimit për përgjegjësitë e Komunave në zbatimin e Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, u bisedua edhe për legjislacionin e Kujdesit Parësor Shëndetësor, dhe mundësitë e plotësim-ndryshimit të tij në të ardhmen në pajtim me politikat qeveritare dhe lokale, të cilat ndryshime do të reflektonin në interes të qytetarëve të vendit.