Për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Handikos organizon aktivitete me fëmijët me nevoja të veçanta, mbështetet nga Klubi Rotarian “Gjilani”
Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Shoqata Handikos në Gjilan ka organizuar një ditë relaksuese me aktivitete të ndryshme për fëmijët me aftësi të kufizuara që frekuentojnë këtë qendër, duke i dërguar ata në një ambient të bukur në Stanishor, transmeton 2LONLINE.com.
“Në një atmosferë të mirë e relaksuese, në praninë edhe të prindërve, familjarëve të fëmijëve dhe profesionistëve të Shoqatës Handikos, fëmijët kanë kaluar çaste të këndshme mes lojërave e argëtimit.
E veçanta e aktivitetit të këtij viti ishte edhe fakti se ky aktivitet, përkatësisht këta fëmijë janë mbështetur nga Klubi Rotarian Gjilani, që ka dhuruar për të gjithë, fletore ilustruese për ngjyrosje, ngjyra, çanta për ngjyrosje dhe mjete tjera didaktike, që ata këtë ditë ta kalojnë sa më mirë, por edhe mjetet tjera që do t’i shërbejnë shoqatës, transmeton 2LONLINE.com.
Fëmijët e pranishëm përmes aktiviteteve të llojllojshme, lojëra, vizatime, dhe aktivitete tjera rekreative treguan shpirtin e tyre të çiltër fëmijëror, duke i dhënë hijeshi kësaj dite të veçantë të tyre, derisa drejtuesit e Shoqatës Handikos, por edhe prindërit e fëmijëve të pranishëm në këtë aktivitet, shprehën falënderime dhe mirënjohje për mbështetjet e ofruar të Klubit Rotarian ”Gjilani”, për këtë ndjesi humane të tyre.
Përndryshe, Handikos në Gjilan, të gjithë fëmijëve ua uron Ditën Ndërkombëtare të tyre, më dëshirat më të sinqerta, që të gjithë ata pa dallim, race, ngjyre, etniteti, kombësie, aftësie të kufizuar, të rritën të shëndetshëm në paqe, liri dhe më të drejta të barabarta. /2LONLINE/
