DYLON

Për derbin Drita – Gjilani flasin trajneri Zekirija Ramadani dhe lojtari Kristal Abazaj

Për derbin Drita – Gjilani flasin trajneri Zekirija Ramadani dhe lojtari Kristal Abazaj
Avatar photo Redaksia

Një javë para mbylljes së sezonit vjeshtor, në Superligën e Kosovës në Futboll, vije derbi FC Drita – SC Gjilani, rreth të cilit derbi folën para gazetarëve, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani dhe futbollisti Kristal Abazaj.

Trajneri i skuadrës bardh e kaltër, Zekirija Ramadani tha se në derbi të tillë motivi vjen vetë.

EkoHigjiena

“Nesër është derbi i vështirë, derbi i Anamoravës, derbi i qytetit, është një ndeshje mjaftë e vështirë dhe e dimë se për tifozë çfarë do të thotë. Në derbi duhet të jepet maksimumi sepse aty nuk i dihet dhe mund të vendos vetëm një moment. Shpresoj që ai moment të jetë në favorin tonë”, ka thënë Ramadani.

Ai shtoi se janë të motivuar dhe do të luftojnë me angazhim sportiv për të ardhur deri te fitorja.

Sipas tij, ekziston lodhja te skuadra e Dritës, pas ndeshjeve të shumta përfshirë edhe ato në arenën ndërkombëtare, porse, kur e ke përballë rivalin e qytetit normal që lodhja harrohet, është në plan të dytë.

Ndërsa, futbollisti Kristal Abazaj potencoi se stërvitja shkoi shumë mirë dhe me aq kohë sa kanë pasur në disponim, janë përgatitur mjaftë mirë.

Ai e pranoi se mund të jenë ca të lodhur pasi kanë pasur shumë ndeshje në këto kohë, por, sipas tij, është shumë normale për pozitat ku ndodhet Drita dhe suksesin që e ka arritur, porse kjo nuk ndikon në nivelin e performancës dhe objektivin që ka skuadra.

“Secili derbi ka atmosferën e tij në bazë edhe të tifozëve, por gjithsecili futet në fushë për të dhënë 100% pasi derbi nuk është si ndeshjet e tjera, është një ndeshje më e luftuar dhe është për të bërë krenar qytetin”, ka thënë Abazaj.

Ndeshja FC Drita – SC Gjilani luhet të dielën në ora 13:00, te stadiumi ndihmës-te rrethi, Gjilan.  /2LONLINE/