/2L ONLINE/ – Zërat për zgjedhje të reja në Kosovë, që do të përfshinin të dyja nivelet, dita ditës po shtohen, e me këtë edhe përfoljet për kandidatura të mundshme, sidomos kur janë në pyetje kandidaturat për kryetar komune. Në këtë kontekst flitet edhe për kandidaturat për Kryetar të Komunës së Gjilanit, edhe atë në të gjitha subjektet politike.
Por, paralelisht me këto përfolje, janë edhe ato zërat që flasin për nevojën për ndryshime, për nevojën për të pas një qeverisje ndryshe, që vijnë kryesisht nga opozita, dhe nga pak zëra qytetarie aktive. Por, ndryshime të tilla mund të vijnë vetëm nëse kemi opozitë të fortë. Aktualisht Gjilani vuan për një opozitarizëm të fortë, e pozita është zhytur në komoditet në qeverisje, të cilës, tek-tuk, po ja prishin “tymin” nganjëherë vetëm ndonjë aktakuzë, apo problemet që i ka vet LDK-ja brenda saj, grupimet e ndryshme në gjirin e këtij subjekti politik.
Aktualisht partia më e madhe opozitare PDK, duket se është larg të këndellurit, si një subjekt që pretendon t’i rikthehet pushtetit që e pati, deri sa e humbi në zgjedhjet e fundit. PDK si zvarrë po i qon punët e konsolidimit të saj, e që mund të mos i mjaftojë pastaj, vetëm koha e fushatës, për angazhim maksimal, për të bërë rikthimin që pretendon. Megjithatë qendra e PDK-së, është preokupuar me këtë çështje dhe hapat kyç i mori kur solli në krye të PDK-së së Gjilanin deputetin Zenun Pajaziti, i cili indirekt me këtë ardhje në krye të PDK-së së Gjilanit, u pa edhe si kandidaturë për kryetar të Komunës. Por, duket se Pajazitin tani së fundi po e hendikepon edhe fakti i hetimeve ndaj tij nga prokuroria speciale, për përfshirje në çështje të punësimeve të paligjshme, që tani po njihet në tërësi si afera “Pronto”.
Burimet e Portalit 2LONLINE, kanë mësuar se jo të gjithë në qendër, ndanin këtë mendim dhe ka prej tyre, që janë figura kyçe e që e luajnë gurin në tabelën e lojës, dhe që kanë vepruar, duke kërkuar personalitete të tjera që mund të jenë kandidatura të qëlluara për ta fituar Gjilanin. Madje mësojmë se ka pas edhe oferta në këtë drejtim, për persona të caktuar, por që mësohet se nga pala janë konsideruar “përgjegjësi” e madhe që nuk e dinë a u dalin në krye, andaj edhe ka pas hezitime për të marr një përgjegjësi të tillë.
E tani së fundi, janë aktualizuar sërish këta zëra, që duan të gjejnë medoemos fituesin, që Gjilani të jetë i PDK-së, e në këtë kontekst burimet tona mësojnë se tani përflitet që ish kryetari i degës, aktualisht zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, Izmi Zeka, t’i rikthehet Gjilanit edhe atë në këtë formë, pra duke qenë kandidatura e PDK-së për kryetar komune, në zgjedhjet lokale që do të mbaheshin, qoftë më herët, qoftë në kohën e caktuar.
PDK-ja është e fuqishme në Gjilan, por edhe brenda saj ka grupime që përkrahin individë të caktuar, që kishin krijuar përçarje edhe në të kaluarën, e që ishte njëri nga faktorët, që ky subjekt e humbi Gjilanin, e që kjo gjë edhe tani po sjellë vështirësi që udhëheqja e tanishme e degës të jetë e suksesshme në unifikim dhe fuqizim të partisë.
Tani, përfolja e kandidimit të mundshme të Izmi Zekës me siglën e PDK-së për kryetar të Gjilanit, a do ta unifikojë Degën apo do ta përçajë edhe më, mbetet të shihet në të ardhmen e afërt, sepse siç mësohet kandidaturat e mundshme, kësaj here kërkojnë nga qendra të mos bëhen lojëra, por ato kandidatura të bëhen të qarta shumë më përpara sesa kur të vije periudha e zgjedhjeve, në mënyrë që të ketë kohë dhe të mund të ndërtohen programe fituese dhe të punohet për fitore të zgjedhjeve.
Nëse del Zeka kandidat, atëherë ai mund të ballafaqohet me reagime brenda vet subjektit të tij, duke filluar nga vet Zenun Pajaziti, pretendues i kësaj pozite, apo edhe nga ndonjë tjetër dhe këto pakënaqësi mund të shpërthejnë dhe të mos mund të kontrollohen nga vet Dega, andaj shuarjen e tyre apo vënien nën kontroll të kësaj çështje, mund ta bëjë vetëm qendra, lideri.
Përndryshe, Izmi Zeka deri së voni ishte edhe anëtar kuvendi por kur “iku”në ministri, lëshojë edhe këtë pozitë duke u shkyçur në njëfarë mënyre krejtësisht nga politika lokale. Tani rikthimi i tij, po të ndodhte sipas përfoljeve, do të ishte një rikthim, për diçka më të madhe. Gjilanin, PDK-ja e kishte fituar pikërisht në kohën kur në krye të Degës ishte Zeka, ndërkohë që vet ai nuk kishte qenë asnjëherë kandidat për kryetar komune. /2L ONLINE/