“Për çdo vit, pyjet po i ruajmë mirë e më mirë”
/2L ONLINE/ – Prerësve ilegal të pyjeve, nuk u shpëtojnë dot as pyjet e Komunës së Gjilanit, zyrtarë komunal thonë se megjithëkëtë, krahasuar me vitet paraprake, prerjet ilegale janë zvogëluar, pyjet për çdo vit po ruhen mirë e më mirë, ndërsa edhe lëndë të proceduara tani në Gjykatë po trajtohen dhe po japin efektin e tyre më mirë se në vitet e kaluara.
Drejtues të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Gjilanit thanë se krahasuar me vitet e kaluara pyjet në territorin e komunës ës Gjilanit për çdo vit, por ruhen mirë e më mirë, ndërsa ndaj keqbërësve po procedohen fletëparaqitje në Gjykatën Themelore, e cila kohëve të fundit ka filluar të trajtojë më shumë lëndë, për dallim nga e kaluara, dhe se edhe dënimet e shqiptuara nga ana e saj po janë më meritore, për çka po vërehet edhe efekti i tyre.
Megjithatë, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë Ramiz Ramadani ka kërkuar nga Gjykata të mos vonohen lëndët e tyre, por të trajtohen në afatet sa më të shpejta që ato të kenë efekt, sidomos t’i trajtojë me prioritet rastet kur kemi të bëjmë me recidivistë. Ramadani tha për 2LONLINE. se përkundër kësaj, është i kënaqur me punën që bëhet nga sektori i pylltarisë që ka shefin, një inxhinier të pylltarisë, katër teknik të pylltarisë si dhe 11 roje të angazhuara, që po e bëjnë një punë të mirë.
Ndërsa, Vahid Aliu tha për Portalin 2LONLINE, se falë angazhimit të rojeve të pyllit, menaxherëve, zyrtarëve të sektorit përkatës dhe të gjithë atyre që janë të angazhuar në drejtori, sa i përket kësaj fushe, si dhe qasjen e tanishme të Gjykatës, kemi rezultate më të mira dhe mund të thuhet se për çdo vit, pyjet po ruhen mirë e më mirë.
Aliu, që është zyrtar juridik në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë dhe që e përfaqëson drejtorinë në gjykata, kur ka lëndë që procedohen në këtë çështje, thotë se edhe numri i fletëparaqitjeve për çdo vit është në rënie, falë rojeve të pyllit dhe të gjithë të tjerëve që janë të angazhuar në ruajtjen e pyjeve dhe po ashtu edhe gjykata për çdo vit po tregohet më azhure në rastet e tilla. Po ashtu, me dënimet që po i shqipton në raste të ndryshme, vlerësimi i drejtorisë është se ato po janë meritore dhe po ndikojnë në të mirë dhe efekti i tyre është i dukshëm, pasi pyjet po menaxhohen për çdo vit më mirë.
Aliu tha se si përfundim mund të thuhet se pyjet po ruhen më mirë, gjendja është nën kontroll, ndërsa në ato raste kur kemi të bëjmë me prerës ilegal të pyjeve, nuk do të ketë tolerancë, dhe rastet e tilla gjithnjë do t’i referohen Gjykatës.
Ndërsa Nazif Kçiku, teknik i pylltarisë, i cili merret me procedimin e fletëparaqitjeve që vijnë nga rojet e pyllit, ka bërë të ditur se vetëm këtë vit, pra që nga një janari e gjerë më sot, kemi pas të proceduara 25 fletëparaqitje për kundërvajtje që veç janë dërguar në Gjykatën Themelore, katër të tjera janë lëndë penale si dhe 10 fletëparaqitje janë në procedim e sipërm. Nga këto lëndë një është shqyrtuar në tërësi nga gjykata dhe është në favor të komunës, ndërsa për të tjerat po presin.
Ndërsa, kur jemi te viti 2015, Kçiku ka bërë me dije se gjatë këtij viti ishin proceduar për në gjykatë gjithsej 383 fletëparaqitje që kishin të bëjnë me lëndë për kundërvajtje, transport dhe penale. Duke iu referuar edhe lëndëve nga vitet e mëhershme, Gjykata përgjatë vitin 2015, kishte trajtuar 393, dhe më 2016 ka trajtuar edhe 21 lëndë të viteve paraprake.
Edhe Kçiku ka vlerësuar pozitivisht punën e gjykatës, por ka thënë se do të ishte mirë që Gjykata sa më shumë t’u jep prioritet lëndëve të kësaj drejtorie, sepse ato nëse vonohen nuk do ta kenë efektin e dëshiruar, pra të stopimit të prerjeve ilegale të pyjeve.
Gjithsesi, situata aktuale me pyjet e komunës, nga përfaqësuesit e kësaj drejtorie, vlerësohet nën kontroll, ndërsa u tha se angazhimet e të gjithëve në drejtorinë në fjalë, sektori përkatës, do të jenë edhe më të mëdha në vazhdim, në drejtim të parandalimit të mëtutjeshëm të prerjeve ilegale dhe dëmtimit të pyjeve në këtë pjesë të Kosovës. /2L ONLINE/
