DYLON

Pentza ose dashuria për ujin – fituese e çmimit poezia më e mirë

Pentza ose dashuria për ujin – fituese e çmimit poezia më e mirë
Avatar photo Redaksia

Poeti gjilanas, Xhevat Latifi, është fitues i çmimit për poezinë më të mirë në edicionin e XVII të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli 2019”, mbajtur në Pejë.

Juria në përbërje: Ilire Zajmi Rugova, Entela Kasi, Vjollca Dibra, në mesin e 80 poezive konkurruese, vlerësuan se poeti Xhevat Latifi me poezinë ‘Pentza ose dashuria për ujin”, është fitues i çmimit për poezinë më të mirë të këtij edicioni.

***
Pentza ose dashuria për ujin

EkoHigjiena

Xhevat Xh. Latifi

Unë të flas për ujin e egër
Ku ëndrra ka fjetur me faqe në tokë dymijë vjet
Në një rrasë guri vija rrudhash
gjama e burrave shtatë herë pështjellë rreth kokës
e sytë, sytë mbetën me pa shpatën.
Është malli i nënës që nuk njohu gjogun e Konstandinit
të larë në djersë të ftohta.
Epo, mund të jetë dhe nga malli i Ajkunës
me cep floku qullë lot udhëkryqin Egnatia
udhën për Shkodër tutje për Risanin e Teutës
( i ngjanë kthimit në Itakë)
Askush nuk mund me nëmë bjeshkën
Alpet e luleborës që u këndon lahutar Shkreli
Pse nuk bahesh burrë me pranue
Se me dashtë vendin tand është me pas nishan diellin në sy
Bjeshka do ujkun e vet!
Bjeshka ka këngën e vet!
Ka një tjetër zjarr që ngrohë cepat
Borë mbi borë n’maje kuvend nimfash
Është koha me i lëshue za lutjes së fundit
O Zot, ma hjek nëmën!
Mallkimi le t’u bjerë atyre që deshën me kallë
Çfarë deshën ata në bjeshkën tonë!?
Në kohën e ikjes së madhe këtu na shpëtoi
Uji i bardhë tamël
*
Pergamenë me bojë kanë
vajza magjike Pentza shkruan urtësinë
Alkimi dritë yjesh vizatohen qiellit
*
N’behar uji i egër e bartë farën ( si Varkën e Noas) në fushë
Uluni, edhe në gjumë kur merrni frymë
Bjeshka ruan farën tonë!

* Procopi historian bizantin me (565), jep përshkrimin për lokalitetin e shënuar si “Pentza” që zëvendëson emërtimin si Siparantum e që më vonë merr trajtën “Pek-Pekia-Peja”.


Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.