DYLON

Pensionohet profesori Luan Shahiqi

Pensionohet profesori Luan Shahiqi
Avatar photo Redaksia

Pas shumë vitesh pune në arsim, profesori dhe piktori Luan Shahiqi është pensionuar, ndërsa kolegët, familjarët dhe miqtë e kanë vlerësuar lart kontributin e tij gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast.

Drejtori i shkollës, Roland Masurica, duke përshëndetur të pranishmit, tha se profesori Luan Shahiqi gjatë gjithë angazhimit të tij në shkollë është dalluar për përkushtim, korrektësi dhe profesionalizëm në punë.

EkoHigjiena

“Pas dekadash të tëra pune, krijimtarie dhe përkushtimi, profesori ynë po mbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës profesionale dhe po nis një rrugëtim të ri – atë të pensionimit. Ky është një moment krenarie për arritjet e tij, por edhe emocionesh për të gjithë ne që kemi pasur fatin të bashkëpunojmë me të”, u shpreh Masurica.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e profesor Shahiqit në artin pamor, duke theksuar se ai ka ndërtuar një krijimtari të pasur artistike dhe ka prezantuar veprat e tij në ekspozita të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Më pas folën edhe profesorët Nijazi Haziri, Rexhep Bunjaku, Agim Kajtazi dhe Bajram Fejzullahu, të cilët, nga përvoja të ndryshme bashkëpunimi, vlerësuan jo vetëm anën profesionale, por edhe dimensionin njerëzor të profesor Shahiqit. Sipas tyre, ai është shquar gjithmonë për thjeshtësi, korrektësi dhe respekt në raport me kolegët dhe nxënësit.

Në emër të familjes, foli Kujtim Shahiqi, i cili çmoi kolektivin e shkollës për organizimin e ceremonisë dhe për vlerësimin e treguar ndaj profesorit.

Në fund, profesori Luan Shahiqi falënderoi të pranishmit për respektin dhe emocionet që i dhuruan në këtë ditë të veçantë.

“Në këto momente po e kuptoj se ka ardhur koha për të pushuar, por nuk po e kuptoj sa shpejt ka ardhur ajo. Megjithatë, për sa kohë do ta kem shëndetin, nuk do të ndalem së krijuari. Në art, fatmirësisht, nuk ka pensionim”, tha ai.

Në fund, për kontributin e dhënë në edukimin e shumë gjeneratave, profesorit Luan Shahiqi i është ndarë mirënjohje nga drejtoria e shkollës dhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan.

NJË BIOGRAFI E SHKURTËR

Luan Shahiqi u lind më 19 korrik 1961 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjilan, ndërsa në vitin shkollor 1979/1980 regjistroi Akademinë e Arteve, në degën e Pikturës, ku më vonë diplomoi dhe fitoi gradën Magjistër i Arteve. Karrierën profesionale e filloi në vitin 1983 në fabrikën e tekstilit “INTEGJ” në Gjilan, ku deri në vitin 1990 punoi si dizajner i perdeve. Nga viti 1990 deri në vitin 2012 ushtroi profesionin e dizajnerit të enteriereve, duke realizuar projekte të shumta. Në vitin 2012 iu bashkua Shkollës së Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, ku punoi si mësimdhënës i vizatimit, duke edukuar dhe frymëzuar breza të tërë nxënësish në fushën e artit pamor.

Përveç angazhimit të tij në mësimdhënie dhe krijimtari artistike, prof. Luan Shahiqi për disa mandate ishte kryetar i Shoqatës së Artistëve Pamorë të Gjilanit. Ai ishte gjithashtu pjesë e nismës kolektive për themelimin e Shkollës së Arteve në Gjilan, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit artistik në qytetin tonë. Krijimtaria e tij artistike, si piktor, është prezantuar në shumë ekspozita kolektive dhe individuale, brenda dhe jashtë vendit.

Ndër ekspozitat individuale më të njohura veçojmë:

• Gjilan (1984);

• Gjakovë, Kroaci (1986);

• Beograd, Serbi (1986);

• Cyrih, Zvicër (1991);

• Prishtinë (2011);

si dhe shumë ekspozita të tjera që dëshmojnë përkushtimin dhe aktivitetin e tij të vazhdueshëm artistik. /2LONLINE/