Pensionohet profesori i pikturës, Ramadan Arifi
Sot, më 8 tetor, pas një karriere të gjatë dhe të bujshme në fushën e arsimit dhe edukimit artistik, u pensionua profesori i Pikturës, Ramadan Arifi.
Me këtë rast, në Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, u organizua një takim për nder të profesorit, ku morën pjesë kolegë, bashkëpunëtorë dhe miq të tij.
Drejtori i shkollës, Roland Masurica, pasi përshëndeti të pranishmit, në fjalën e tij të rastit ndër të tjera tha:
“Ka momente në jetën e një institucioni kur fjalët duken të pamjaftueshme për të përshkruar atë që ndiejmë. Sot është një prej atyre momenteve.
Pensionimi nuk është thjesht fundi i një orari pune, i një viti shkollor apo i një karriere profesionale. Pensionimi është momenti kur mësimdhënësi ndalet për pak, shikon pas dhe sheh gjurmët që ka lënë gjatë rrugës.
Dhe profesor Ramadan Arifi, përveçse ka lënë gjurmë në arsim, ka lënë gjurmë edhe përmes krijimtarisë së tij artistike. Ju keni qenë pjesë e një brezi të mësuesve dhe artistëve që e kanë mbajtur gjallë traditën e arsimit artistik në Gjilan.”
Më pas, fjalën e morën kolegët e pranishëm, Izeir Hyda, Rasim Vllasaliu, Rexhep Bunjaku dhe Muhamedali Rexhepi, të cilët vlerësuan lart kontributin e profesor Ramadan Arifit në mësimdhënie, edukimin e brezave dhe krijimtarinë e tij artistike.
Në fund, profesori Ramadan Arifi falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe fjalët e mira në këtë ditë të veçantë.
“Prania juaj i ka dhënë madhështi këtij takimi. Rrallëherë jam ndier kaq i emocionuar sa sot”, tha profesori Arifi.
Në përmbyllje të takimit, Shkolla e Mesme e Arteve Pamore “Adem Kastrati”, në emër të kolektivit, i ndau profesorit Ramadan Arifi një mirënjohje dhe disa dhurata simbolike, në shenjë falënderimi për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij shumëvjeçar në arsim dhe art.
Faleminderit profesor Ramadan Arifi për kontributin tuaj në edukimin artistik të brezave!
Urime pensionimin dhe ju urojmë shëndet, jetë të gjatë dhe shumë krijimtari në kapitullin e ri të jetës!
NJË BIOGRAFI E SHKURTËR
Ramadan Arifi u lind më 8 tetor 1961, në Bilinicë të Gjilanit.
Shkollën fillore e kreu në Bilinicë dhe Pogragjë, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në drejtimin arsimor-pedagogjik.
Më pas, rrugëtimi i tij profesional u orientua drejt artit. Ai përfundoi Fakultetin e Arteve, në drejtimin e Pikturës, ku studioi nën udhëheqjen e profesorit Tahir Emra. Studimet e nivelit të tretë, respektivisht masterin, i përfundoi nën mentorimin e profesorit Nagip Berisha.
Nga viti 1987 deri më 1993, profesor Ramadan Arifi punoi në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë, duke e nisur kështu një rrugëtim të gjatë në profesionin e mësimdhënësit.
Më 16 janar 2018, ai iu bashkua kolektivit të Shkollës së Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati” në Gjilan, institucionit ku për shumë vite dha kontributin e tij si profesor i Pikturës.
Dhe pikërisht këtu, në këtë shkollë të artit, pas një karriere të gjatë në arsim, ai përmbyll një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale dhe del në pension si veteran i arsimit. /2LONLINE/
