Pensionohet mësimdhënësi Bajram Veseli

Pensionohet mësimdhënësi Bajram Veseli

Pas një periudhe prej katër dekadash duke kontribuar, dy dekada në arsim dhe dy të tjera në Fabrikën e Metaleve “Çeliku” në Gjilan, ka dalë në pension mësimdhënësi Bajram Veseli.

Mësimdhënësi Bajram Veseli me arsimimin e gjeneratave të reja nisi punën në shkollën teknike në Gjilan, sa ishte student në vitin 1979, duke punuar deri në vitin 1981, për tu inkuadruar më pas në vitin 2006 e deri në pension.

Gjatë tërë këtyre viteve punë, Bajram Veseli nuk kurseu mundin dhe vullnetin e tij për të edukuar dhe mësuar gjeneratat e reja.

Mësimdhënësi Bajram, ka rrëfyer jetën e tij profesionale për gjithë këto vite në arsim dhe ndjenjën që ka tash me rastin e pensionimit.

“Kënaqësi që arrita moshën e pensionimit, por njëkohësisht edhe pikëllim që tash po e lë profesionin që kam kryer për shumë vite me radhë. Kjo është ndjenja e përzier”, shprehet profesori Bajram.

Ai thotë se në gjithë këto vite të punës ka pasur kohë të mira, por edhe të vështira.

“Ka qenë viti 1979 kur si student për herë të parë kam kapur ditarin në dorë. Mbaj mend qysh atëherë kur bisedonim me kolegë, se edhe sa kohë dalim në pension, natyrisht në atë kohë logjikisht ishte diçka si e largët e pa kapshme, por, tani më duket sikur dje kam nisur profesionin si mësimdhënës”, thotë Veseli.

Ai shprehet falënderues gjithë stafit të shkollës, ku në mesin e kolegëve të tij ka dhe ish- nxënës. Por, ajo që e gëzon atë është fakti se nxënësit e tij të shumë gjeneratave dalloheshin për arritje e ruajtje të cilësisë mësimore, mandej edhe në përvetësimin e dijeve në ciklin e lartë të arsimit më tej.

Ndërkohë harmonia me kolektivin ishte një virtyt tjetër i profesorit Bajram.

Për të ruajnë respekt të veçantë edhe kolegët e tij të punës. Ata japin vlerësimet më të larta për të jo vetëm si edukator, por edhe si njeri.

Drejtoresha e shkollës së mesme të lartë teknike, “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri e vlerëson si të palodhshëm dhe një mësimdhënës shembull për gjeneratat e ardhshme.

Ajo është shprehur falënderues ndaj kontributit të tij që ka dhënë për edukimin e brezave të rij.

“Kemi qenë kolegë të mirë me njëri- tjetrin, kemi punuar shumë vite bashkë. Profesori Bajram ishte një njeri i devotshëm në punën e tij.

Ndërkaq ne tani që ka dalë në pension i uroj shëndet dhe gjitha të mirat”, ka thënë drejtoresha Tahiri.

Gjithashtu edhe kryetari i Aktivit të Makinerisë, Fazli Sermaxhaj së bashku me mësimdhënësit e tjera kanë uruar kolegun e tyre me rastin e pensionimit, duke i dëshiruar shëndet në jetë.

BIOGRAFIA E BAJRAM VESELIT

Bajram Veseli lindi më 27 maj 1955 në Zhegër të Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme e përfundoi në Gjilan, ndërsa Fakultetit Teknik dhe studimet posdiplomike në Universitetin e Prishtinës.

Punën si mësimdhënës e ka filluar në vitin 1979 sa ishte student deri në vitin 1981. Nga ky vit punoi në Fabrikën e Metaleve “Çeliku” deri në vitin 1986, për tu rikthyer sërish për një vit në arsim në SHMT “Mehmet Isai”. Tutje ai kthehej sërish në fabrikë, deri në vitin 2005, për tu inkuadruar në vitin 2006 në arsim e deri më tani.

Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai” Gjilan

KOMENTE