P e n g u
/Mehmetali Rexhepi/
Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Azem Shkreli, Teki Dervishi, Federik Reshpja, Ali Podrimja e një mori shkrimtarësh dhe unë…
Mësymja: te Ngazëllimi për t`i uruar banesën e re. Shmangem nga ai grumbull pa dashjen time. Më shmangin nga anëtarët e LSH-së lidhëzat e këpucëve të mia dhe çorapët e trasha të leshta. Assesi të jem në hap me ta. Ata tashmë kishin ikur. Arrij i paqartë para një ngrehine pesëkatëshe të palyer. Futem brenda, por kujdestarët e ngrehinës ku ishte Ngazëllimi më pengojnë.
Thanë: -Është ngushtë të futesh edhe ti.
– Prit sa të dalin ata! – Prite marsin!…
Por ata nuk i pashë se kah dolën e ku vajtën. Ndoshta secili në banesën e vet të fundit?
U mllefosa në vetveten për ngathtësinë time, për formatin e këmbëve, për këpucët, lidhëset e lidhjet e mia të ngatërruara, secilën herë në çastet e fundit.
Po prisja te hyrja e ngrehinës me barrën e hidhërimit. Mësymjes sime i dalin rojet e banesës së Ngazëllimit. Ndeshem me një mur të gjallë, të pakalueshëm.
– Ju lutem, dua ta takoj Ngazëllimin, sikurse zotërinjtë më parë, për t`ia uruar banesën e përjetësisë!
– Ngazëllimi është i zënë- më thanë në kor.
– Po, por, por…
U turbullova, ndaj po më katrohej shqiptimi i një kërkese të vetme, që po më bëhej gjithnjë më e gjakuar.
– Uuu…Unë… Dë…dë… Dëgjoni! Unë, unë jam, jam, jam njëri nga, nga, nga… Ata të Lidhjes që sapo u futën brenda dhe, dhe nuk po i shoh të kenë dalë?
Sërish përgjigjen dy persona përnjëherësh:
– Ngazëllimi është i zënë, a kupton ?
U them: – Dua vetëm ta takoj dhe t`ia uroj vendbanimin e ri. Me siguri, Ai do të ketë pakëz kohë edhe për mua, siç pati për të tjerët.
Tashmë mllefit tim i duhej vetëm një shkëndijë për të shpërthyer, por Arsyeja ende e kishte shkrepën në dorë, për të mos i lejuar hapësirë një shpërthimi që mund të ishte i pistë.
– Zotërinj, po tash?
– Çfarë po bën Ai pasi u larguan miqtë e tij?
– Ngazëllimi po ha mish!
Mpirje!…
* * *
Intonacioni i pohimit u shfaq krejtësisht i natyrës zyrtare. Nuk pikasej ironia në fytyrat e tyre të rruara si dhe kokat, qafat me kollare të zeza mbi këmisha të bardha e kate të hirta. Ndonëse pohimi i tyre plekste diçka enigmatike, tingëlloi si një cinizëm i llojit tejet të veçantë. Fjalët nuk më ndërtonin dot trajta kuptimi. Shteruan krojet e shprehjeve. Nuk po i hapej udha pozitës së sedrës sime mes hutimit mpirës e fyerjes djegëse.
Përsëritja në vete: Ngazëllimi po ha mish! Ngazëllimi po ha mish! Çfarë fsheh ky pohim pas atij intonacioni të ftohtë e thjesht zyrtar?
Ngarendje pas të nëmurës…
Mendja ma thoshte se kishte ngjyrime gjithfarëshe në atë frazë: ironi, përbuzje ose gjithçka ngjizej në stilin e një burokracie djallëzore. Dhe nuk mund t`i shqitesha asaj formule të anatemës, që sa vjen e më bëhej më e ndërlikuar: e larmishme, sfiduese fyese, provokuese, neveritëse. Sillesha vërdallë, por nuk ia kapja dot as fillin, as fundin nëntekstit.
Marrëzi të pashpirtësh!
Jep e merr, merr e jep dhe: shkrap! U këput shiriti i një torture…
* * *
Sytë që më ishin ngjyer me të kuqen e të zezën e sfondit të tej botës mbanin po ato ngjyra. Ndjeja rrokullisjen e sumbullave të vala të djersëve që po e lanin sedrën e fyer, ndërsa jashtë rigonte shi i ftohtë, si të donte, pa artileri bubullimash, t`i përzinte kërpudhat e joshura nga korriku në kallnor.
E shtyp çelësin pran shtratit me gishtin tregues: errësirë e shoqërisë… Seç më rikthehet një fije kujtese gati e këputur e të djeshmes, përderisa çaste më parë e kishte kapur e rilidhur, por në dëftoren e vet, ëndrra: takimi i shkrimtarëve përpara kryqit të një apostulli tokësor të shkrimit shqip.
Dhe endem në sferën e torzosë fluturuese të ndjenjave…
Nga dyzetekatër temperatura bie në katër gradë celsius. Sherri planetar i dykëmbëshit zgjeron dhe zgjeron rrathët koncentrikë vertikalisht, aq sa ombrellën tonë të ozonit do ta bëjë një shoshë vigane. Dhe radari i reumës sime do të parashikojë zjarrmi në kub për çdo trup.
Ndoshta e paskam lajthitur ditën, pse ëndrra erdhi për ta lypur pjesën e saj të huazuar të pakthyer. Ndaj erdhi për të dëshmuar ndryshe dhe qortueshëm, ngase borxhi nuk mund të fshihej. Kur përmbyset imagjinata shpifet dita si rutinë e një burgu të hapur.
Vallë, pse mes gravitetit të së prekshmes e të së imagjinuarës mbetem pezull dhe i papeshë? Në kopshtin e iluzionit kam bletën dhe polenin e fshehur të mjaltit tim. A do t`i shpëtojë e vetmja pronë imja e paluajtshme ligjit për tatim?
* * *
Ironia e ëndrrës përtrollit mjerimin e zhgjëndrrës.
Ai hante bukën e ngjyer në gjellën e çdoditshme të kureshtjes: përzier supë e zier me eshtra të gjahut të muzës, mëlmesë duhani, copëza metaforash hedhur orë e çast mbi pako cigaresh, mbi gazeta e kudo ofrohej fleta, gjethet që vishnin degët dhe ia shlyente kufirin ditë-natës. Hyri në shtjellë të rrëfimit dhe nuk doli më, por hyri pa drojë t`ia merrte mandatën thellësisë.
Tori e tori një karakter që në variante të shumtën i doli i denjë për ferr. Peshoi e ri- peshoi, vendosi, rendoi e ri-vendoi, arriti deri në verën e qëmtimit.
Dhe Ai u betua: dua të mbëltoj që nga e zeza deri në pigmentin e thinjur të flokut tim, të latoj, kompozoj e praroj, të vjel gonxhe filigrani në qafëbardha gjerdani, sintaksë e paepura plis-shkrepave dhe e kap-pakapshmja e sublimes sime!
* * *
Dhe sprovës Tij i besova. Gjithë maksima e ngrit-zbritjes njerëzore u përmbyllka në një rrokje, në ofshamën e ngërthesës: “Oh!”