Nga: Sabit RRUSTEMI
/L ONLINE/ – Manifestimi kombëtar i kulturës, “Flaka e Janarit” që këtë vit po shënon 25 vjetorin e themelimit, qe 20 vjet po mbahet pa njërin nga themeluesit e saj, shkrimtarin e shquar shqiptar, Beqir Musliun .
Ai, jo vetëm që ishte i pranishëm dhe kontribues i zellshëm në aktin e themelimit, në Shkollën e Muzikës në Gjilan por, edhe në nismën e këtij Manifestimi, më 18 janar 1992 duke e përuruar njëkohësisht edhe një Shtëpi Kulture atë kohë, në Bresalc, prej ku edhe nisi rrugëtimin.
I pandashëm prej këtij Manifestimi deri në vdekje, Beqir Musliu ishte dhe fitues i parë i Çmimit për poezinë më të mirë në nivel qendror, mbajtur po atë ditë, në restaurantin KULLA në Gjilan si dhe pagëzuesi dhe shkruesi i editorialit të parë të revistes letrare – kulturore AGMIA, që nisi së botuari në vitin 1994, vit në të cilin u pat botuar dhe vepra poetike e Rexhep Elmazit, FRYMA, përgatitur po nga ai dhe, e mbështetur financiarisht nga Këshilli Komunal për Financim i Gjilanit.
Gjilani, nga viti 2004 e këndej, jep edhe një Çmim letrar për vlera artisitike, vit për vit, në emrin e Tij.
Po në vitin 2004, inicuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, u botuan edhe shtatë vepra të tij, mbetur të gatshme për botim, përmes SHB “Faik Konica” e, mbështetur financiarisht nga MKRS e Komuna e Gjilanit.
Gjithashtu, në 15 vjetorin e vdekjes së tij, në Gjilan u pat mbajtur dhe një Simpozium letrar që rezultoi me botimin e veprës MBRETI I METAFORËS, shkrime kritike për veprën dhe personalitetin e tij.
Por, ka vite që vazhdojnë përpjekjet për përgatitjen dhe botimin e dorëshkrimeve tjera të mbetura të Beqir Musliut, shkrimet për teatrin dhe dramën, shkrimet publicisitike ( reportazhe e opinione), shkrimet kritike për libra të ndryshëm. Por, edhe krijime tjera origjinale në poezi e në prozë … si dhe premtimet e institucioneve për ta mbështetur këtë punë e angazhim, premtime këto që ende nuk u përmbushën.
Të rikujtoj se, deri më tash, duke shqyrtuar dhe vlerësuar veprën letrare të Beqir Musliut, janë mbrojtur doktorata si në Prishtinë, ashtu dhe në Shkup, Tetovë e Tiranë.
Ars Clubi “Beqir Musliu”, i cili këtë emër e bartë nga viti 1997, në fund të vitit të kaluar, kur edhe i përmbylli veprimtaritë letrare, vitin 2016, e shpalli si Vit të Beqir Musliut.
Në shenjë të një vepreje kolosale që na la, bashkë me emrin e tij, me të cilin mburret Gjilani, PENA E FLAKËS – apo pjesa letrare e Manifestimit “Flaka e Janarit” 2016, simbolikisht i përkushtohet Beqir Musliut.
“Pena e Flakës”, shënon simbolikisht edhe hapjen e veprimtarive letrare në nderim të figurës dhe veprës së Beqir Musliut … /2L ONLINE/
BEQIR MUSLIU