Autobusët me pelegrinë serbë nuk kanë arritur të hyjnë në oborrin e Kishës ortodokse serbe në Gjakovë ,për shkak se qytetarëte mbledhur aty i penguan. Dhjetëra qytetarë të Gjakovës të prirë nga familjarë të të vrarëve e zhdukurve bllokuan hyrjen e Kishës Ortodokse, duke dashur që në këtë mënyrë t`i pengojnë të futen brenda pelegrinët serbë dhe Ministrin pa portofol, Aleksanbdar Vulin.
Në afërsi të Kishës së Bogodoricës qytetarët e mbledhur u përleshën me Policinë e Kosovës duke dashur që me çdo kusht të ndalojnë hyrjen e pelegrinëve në Kishë. Dy autobusë me pelegrinë serbë, që kanë dashur të shkojnë në Kishën Ortodokse për festimin e Krishtlindjeve, u bllokuan rreth 100 metra afër Kishës, transmeton RTK.
Ata u bllokuan nga automjetet,të cilat u lanë në mes të rrugës. Qitën edhe barrikada. Ndërkohë u arrestua nga policia, Besnik Sharani. Ndërkaq nënat u panë tejet të revoltuara. E gjithë kjo situatë edhe pas përpjekjeve të policisë bëri që vërtetë kësaj radhe pelegrinët të mos lejohen të hyjnë në Kishë.
Nesrete Kumnova nga “Thirrjet e nënave”, tha se serbët në Gjakovë nuk kanë çka kërkojnë. Në përkrahje të tyre erdhi edhe Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se ka marrë garanci nga qeveria e Kosovës se ministrit serb nuk do ti lejohet hyrja në Gjakovë.
Por, qytetarët nuk pati çka t’i ndalë. Ata u shprehën se jo vetëm Vulini, por asnjë serb nuk mund të hyjë në këtë qytet me shumë plagë.
E kur e panë që vërtetë kësaj radhe hyrja në Kishë ishte e pamundur autobusët ‘Lasta’ u kthyen andej nga erdhën. Kështu edhe të pranishmit u panë më të entuziazmuar nga fakti se u penguan.