Parlamenti Evropian do të diskutojë sot propozim-rezolutat për Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë hartuar në bazë të raporteve vjetore të raportuesve Ulrike Lunacek dhe Jelko Kacin. Në këto dokumente, Parlamenti Evropian ofron mbështetje të fuqishme për dialogun Prishtinë-Beograd, ndërsa autoritetet në Kosovë dhe Serbi ftohen të lëvizin me vendosmëri drejt standardeve evropiane.
Rezoluta për Kosovën pritet të kërkojë që transferimi i kompetencave nga EULEX-i të bëhet në mënyrë graduale dhe për këtë të konsultohet edhe shoqëria civile. Teksti i kësaj rezolute nuk ndryshon shumë nga ato të viteve të mëparshme sa u përket çështjeve politike dhe në ët shprehet qartë një mbështetje e madhe politike për Kosovën.
Në të mbështetet edhe avancimi në procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit, transmeton RTK.
“U bëjmë ftesë autoriteteve të Kosovës që të përmirësojnë efikasitetin e tyre, përgjegjësinë dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë; u bëjmë thirrje autoriteteve që në mënyrë proaktive të forcojnë sundimin e ligjit, posaçërisht duke proceduar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshirë edhe në radhët e veta”, thuhet në të.
Më tutje, në propozim – tekstin e rezolutës u rekomandohet pesë vendeve të Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha vendeve të BE-së që t’i forcojnë lidhjet ekonomike me Kosovën.
Rezoluta pritet të miratohet pa ndonjë problem, duke marrë parasysh numrin e madh të votimeve me të cilat u votua drafti i saj në Komisionin e Politikës së Jashtme. Të enjten, një ditë pas debatit, deputetët do të votojnë për rezolutat e propozuara.