PDK: Të bëhet vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal Nr.016-41543!

PDK: Të bëhet vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal Nr.016-41543!

“Me këtë komunikatë duam t’ju informojmë se grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Gjilanit, sot me datë 19 Qershor 2020, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (si autoritet për monitorimin e ligjshmërisë së vendimeve dhe akteve të kuvendeve dhe të kryetarëve të komunave), ka bërë kërkesë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit Komunal 01. Nr.016-41543 të datës 05.06.2020 e që ka të bëjë me ndërhyrjen e paligjshme në destinimin e parcelave 03872-0 dhe 03878-0 përmes (siç thuhet në vendim) REVIDIMIT TË PJESËRISHËM të planit rregullues urban në fuqi “Qendra – Zona 1″”.

Kështu thuhet në një komunikatë të PDK-së së Gjilanit, sipas të cilës, këto parcela i takonin, zonës ku ishte e vendosur dikur KRM “Higjiena” (pas Muzeut të qytetit, e që me planifikimin në fuqi janë pjesë integrale e hapësirës së muzeut dhe e sheshit të qendrës mbi “Lumin Mirusha”). Një kopje e kërkesës i është dërguar edhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) sepse ky vendim bie ndesh edhe me Ligjin për trashëgiminë kulturore të RKS.

M tej në këtë komunikatë thuhet:

“Ne, grupi i këshilltarëve të degës së PDK në Gjilan, me përkushtim e kemi përcjellë qasjen e gabuar shumëvjeçare të kryetarit Haziri dhe të kryesueses së KK te planifikimi hapësinor i qytetit por edhe te proceset tjera të komunës. Ndërhyrjet e paligjshme të udhëheqjes komunale në prishjen e planeve rregulluese janë bërë rutinë e përhershme dhe sjellje injoruese, autoritare e arrogante ndaj opozitës dhe shoqërisë së komunës në përgjithësi. Bëhet ridestinimi i hapësirave brenda planeve rregulluese në fuqi (merret hapësira për shkollë, për kopsht të fëmijëve, për lodra, për shesh, për gjelbërim… dhe u lihet në disponim ndërtimeve të larta) . Përveç kësaj, në vazhdimësi shkelen vijat ndërtimore të planeve rregulluese, revidohen kushtet e ndërtimit, jepen kushte dhe leje me tejkalime të normës ndërtimore etj. Krejt kjo, bëhet me qëllim të joshjes së interesave të konjukturës pranë kryetarit duke i manipuluar e mashtruar investitorët të cilët, më së paku janë fajtorë në krejt këtë marifet.

Revidimi i pjesshëm i planeve rregulluese në fuqi është konfirmuar disa herë i jashtëligjshëm nga MMPH. Këto konstatime të MMPH i kanë ardhur komunës përmes MAPL.

Komuna me kokëfortësi i ka injorue rekomandimet e MMPH për anulimin e këtyre vendimeve dhe kthimin te respektimi i planeve autentike të cilat, me ligjin për planifikimin hapësinor të Kosovës 04/L-174 nuk guxojnë të preken pa kalue 5 vite nga miratimi i tyre dhe nuk guxojnë të lëndohen me ndërhyrje të pjesërishme e tinëzare (pa procedurë e pa diskutim të gjithanshëm profesional e publik për krejt planin si tërësi).

Konstatojmë me keqardhje se me këtë rast, dhe në vazhdimësi, kryetari i komunës, bashkë me kryesuesen e kuvendit, kryesuesin e komitetit për urbanizëm e planifikim dhe me drejtorin e urbanizmit, kanë bërë shkelje sistematike të planifikimit rregullues urban e që është shkelje e ligjit për planifikim hapësinor dhe në rastin për të cilin po flasim sot, e kanë shkelur edhe ligjin për trashëgiminë kulturore të RKS.

Ligji për Trashëgiminë Kulturore 02/L-88 e mbron qartë hapësirën rreth objekteve të kualifikuara për mbrojtje. Objekti i Muzeut të qytetit që është i njohur si “Objekti i Kajmekamllakut”, ka kohë që është në listën e oblekteve të mbrojtura.

Dispozitat e këtij ligji nuk lejojnë çfarëdo ndërhyrje ndërtimore në distancë më të vogël se 50m nga perimetri (vija e jashtme) e objektit andaj bazuar në krejt atë që u tha deri këtu, konstatojmë se vendimi i lartcekur është plotësisht i jashtëligjshëm.

Në vazhdim, grupi i këshilltarëve të PDK, është i angazhuar që të vazhdojë me zbardhjen e parregullsive dhe, në bashkëpunim me të gjitha grupet tjera në opozitë por edhe me secilin këshilltar në KK pa dallim, të kërkojë shpjegime e të bëjë denoncime në instancat administrative dhe penale të RKS.

Me punë të përhershme, të hapur e të sinqertë ndaj njëri tjetrit, jemi të sigurtë që ne, këshilltarët e kuvendit të komunës, udhëheqjen anarkike të komunës mund ta detyrojmë të sillet brenda normës ligjore dhe ti respektojë detyrimet ligjore për transparencë të plotë e për demokraci, thuhet në komunikatë. /2LONLINE.com/

KOMENTE