PDK: Sqarim për publikun dhe për dy familjet Krasniqi dhe Sherifi të Livoçit të Epërm

PDK: Sqarim për publikun dhe për dy familjet Krasniqi dhe Sherifi të Livoçit të Epërm

PDK e Gjilanit përmes një komunikate ka bërë me dije se: “Me keqardhje për trazimin shpirtëror të familjeve Krasniqi e Sherifi në Livoç të Epërm, duam t’ju sqarojmë këtyre familjeve dhe publikut të gjerë të komunës se Gjilanit se këshilltari jonë në Kuvendin Komunal Shefik Surdulli, nuk e paraqiti qëndrimin e Partisë Demokratike te Kosovës, andaj si i tillë është vetëm qëndrim i një këshilltari, prej të cilit dega në Gjilan është distancuar ditë më parë, edhe para këtij sqarimi”.

Në këtë sqarim thuhet tutje:

Paraqitjen e tij në KK për rastin e Livoçit të Epërm, PDK-ja në Gjilan e sheh si ndërhyrje selektive, të njëanshme dhe të pavend sepse kjo detyrë ekskluzivisht i takon Këshillit të Fshatit dhe Komisionit për Emërtime. Aq më keq që këshilltari jonë flet me kualifikime superiore për njërin nga emrat me vlerë të familjes Krasniqi dhe për pronësinë e tokës duke mos e konsultuar anën tjetër, pra pa i njohur mirë rrethanat në këtë hapësirë të komunës tonë.

Po e theksojmë që puna për emërtim të kujdesshëm, të ekuilibruar e gjithëpërfshirës është detyrë ekskluzive e Komisionit për Emërtime dhe e Këshillit të Bashkësisë Lokale, si dy mekanizma të vetëm institucionalë. Këshilltarët dhe secili qytetar e ka pasur mundësinë të ndihmojë duke e faktuar ndonjë rrethanë ose lëshim nga komisioni, por jo duke i polarizuar familjet dhe duke prodhuar mjegull para publikut.

E kuptojmë që nganjëherë, duke u munduar të bëjmë një të mirë, i bëjmë dy e më shumë të këqija, por duhet të jemi fort të kujdesshëm, sidomos te çështja e emërtimeve sepse kemi të bëjmë me botën shpirtërore dhe emocionale të njerëzve e kjo është me ndjeshmëri të lartë.

Familjet dhe individët e prekur shpirtërisht nga pakujdesia e kujtdo qoftë, i inkurajojmë që të komunikojnë me qetësi dhe argumente me komisionin dhe t’i sqarojnë gjërat deri në fund. Nëse ato familje dhe ata individë mendojnë se ne si parti në kuvend mund të ndihmojmë, jemi plotësisht në disponim të tyre në çdo kohë, qoftë për t’u këshilluar, qoftë për të qenë një urë komunikimi me Komisionin Komunal për Emërtime, përfundon komunikata.

KOMENTE