PDK: Rivali abuzoi me besimin e qytetarëve pa mëshirë

Gjilan – (2LONLINE) –  Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),  Dega në Gjilan,  thanë se  ka dëshmi dhe fakte për manipulime dhe parregullsi të shumta gjatë procesit të numërimit ë votave dhe plotësimit të formularëve të KQZ-së dhe  se me këtë janë duke u marrë hetuesia, sikundër që në afatin ligjor ankesë  kanë bërë edhe në PZAP.

Se kanë dhënë deklarata për hetuesit e ka konfirmuar edhe Qemajl Mustafa, kandidati i PDK-së për kryetar komune i cili tha se këto dyshime janë të bazuara në fakte të cilat secili qytetarë i Gjilanit dhe i Kosovës mundet shumë lehtë ti gjejë.

“Këta të LDK-së aq mirë janë të mësuar për të vjedhur, sa që të lënë fjetur”, ka thënë Mustafa, i cili shpreson në një hetuesi e prokurori profesionale që të zbardhë këtë çështje.

Sipas tij, ka vendvotime jashtëzakonisht problematike dhe se në një vendvotim në Qendrë ne votimit në shkollën “Selami Hallaqi”,  kandidatit të LDK-së  Lutfi Hazirit, i janë shtuar 54 vota, andaj PDK dyshon se ka pasur edhe keqpërdorime të tjera nëpër vendvotime të tjera.

“Dyshojmë se votat tona u hoqën dhe u gjuajtën dhe në vend të tyre u shtuan votat për kandidatin Lutfi Haziri”, ka thënë Mustafa,  sipas të cilit, po ashtu  ka dyshime të bazuara se ka pasur blerje të votave nga LDK-ja, se në lagjen e romëve  ku u dhanë para nga 50 euro për t’i blerë votat.

Sipas tij, LDK ka bërë politikë të pamoralshme , ata janë rrënues të demokracisë dhe se ata po e gënjejnë publikun e vet, andaj nuk e meritojnë që ta kenë kryetarin

Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së Izmi Zeka, ka thënë se procesi është degraduar dhe dita ditës veç po dalin parregullsitë e shumta dhe se rivali nuk ka kursyer forma për të abuzuar me besimin e qytetarëve veç me ardhur deri te vota.  Ai tha se pati shkelje flagrante dhe me të po merret hetuesia.

Ndërsa Riad Rashiti nga Shtabi Zgjedhor i PDK-së duke folur për këto dyshime, sipas tij të bazuara ka përmendur disa raste konkrete duke thënë se në shkollën fillore Selami Hallaqi në Gjilan, në vendvotimin numër 0402D/03R kanë qenë në listen e votuesve 886 qytetarë me të drejt vote, ndërsa kandidate për kryetar komuna kanë marrur 899 vota, ndërsa në këtë vendvotim kanë votuar 231 qytetarë dhe janë shpallur 227 fletvotime të rregullta. Andaj prej 227 fletvotimeve kandidatëve i janë dhënë më shumë 672 vota, pra 899 në total.

Sipas tij, në të njëjtën shkollë në vendvotimin 0402D/07R kanë qenë 501 fletvotime të rregullta, ku kandidatit të LDK-së Lutfi Haziri i janë shtuar votat nga 206 në 260 dhe kandidatit të PDK-së Qemajl Mustafa i janë zvogëluar votat prej 131 në 106 vota. Ky rezultat është shpallur në KQZ mirëpo ndërkohë pas ankesës të bërë ky rezultat është përmirësuar.

“Në shkollën Abaz Ajeti në vendvotimin numër 0401D/04R janë 413 fletvotime të vlefshme nga 422 sa kanë votuar, ndërsa kandidatëve i janë shpërndarë 404 vota prej 413 te vlefshme, pra 11 vota nuk dihet kujt dhe pse nuk i janë dhënë. Në të njejtën shkollë në vendvotimin numër 0401D/03R nuk dihet ku janë shkuar disa vota”, ka thënë Rashiti.

Ai tha se edhe në fshatin Zhegër në vendvotimin numër 0409D/03R janë shpallur 380 fletvotime të vlefshme ndërsa kandidatët për kryetar komune i kanë marrur 391 vota, pra 11 më shumë, e që nuk dihet ka kanë dalur ato vota.

Në fshatin Pograxhë në vendvotimin numër 0446D/01D janë të vlefshme 175 fletvotime e kandidatët kanë marrur 170 vota, 5 prej tyre nuk dihet kah kanë shkuar. Në fshatin Cërnicë në vendvotimin numër 0410D/01R janë shpallur 442 fletvotime të vlefshme, kandidatët kanë marrur 431 vota, kur 11 vota tjera nuk dihet kah janë shkuar. Në të njëjtin fshat në vendvotimin tjetër numër 0410D/03D kanë marrur pjesë dhe janë nënshkruar 426 votues, ndërsa vota në kuti janë shpallur 409 fletvotime, mungojnë 17 vota. Në fshatin Kravaricë në vendvotimin numër 0447D/01D poashtu kanë marrur pjesë dhe janë nënshkruar në listen e votuesve 153 qytetarë ndërsa vota në kuti janë shpallur 139 vota, 14 prej tyre mungojnë. Gjatë procesit të numërimit në shkollën fillore Abaz Ajeti për disa minuta është ndërprerë rryma vetëm në katin e pare, në cka dyshohet se është bërë e qëllimshme.

“Shtabi i PDK-së është duke grumbulluar ende fakte dhe dëshmi të tjera lidhur me manipulimet dhe parregullsitë tjera të cilat kanë ndodhur në ditën e zgjedhjeve. Së shpejti do të dalim edhe me dëshmi dhe fakte të dhëna nga disa nga qytetarët e Gjilanit të cilët kanë deklaruar se si janë blerë votat dhe nga kush janë paguar ato. Ne kemi informacione shumë të sigurta dhe të dëshmuara me fakte lidhur me manipulimin e votave edhe nëpër burgjet e Kosovës, ku votuesve  të burgosur të Gjilanit iu është dhënë fletvotimi i plotësuar për kandidatin e LDK-së Lutfi Haziri”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, PDK  ka parashtruar ankesë sipas afatit ligjor në PZAP për të hapur për të verifikuar ligjshmërinë dhe rinumërimin e votave për 40 kuti të cilat ditën e zgjedhjeve janë dërguar në karantinë nga vetë KQZ-ja. Për të gjitha këto dëshmi dhe fakte janë duke u marrur hetuesia dhe prokuroria në Gjilan. /2lonline/

KOMENTE