/2L ONLINE/ – Vazhdojnë reagimet dhe kundër reagimet në lidhje me atë se a pati apo jo spastrime politike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) me rastin e ndërrimit të shefave në disa reparte.
Fillimisht Sahit Abazi, shefi Grupit të Këshilltarëve të PDK-së kishte kërkuar nga kryetari i komunës së Gjilanit që t’i ndalojë spastrimet politike në shëndetësinë e Gjilanit, që sipas tij kanë filluar e ku po ndërrohen shefat e reparteve, vetëm e vetëm, pse nuk janë LDK.
Për më tepër shih shkrimin: Abazi: Kryetar, ndalni spastrimet politike në shëndetësi!
Më pas kishte reaguar edhe Izmi Zeka, nënkryetar i PDK-së së Gjilanit ku sipas tij pastrimet e fundit që po ndodhin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), flasin qartë se LDK-ja e Gjilanit ende nuk është liruar nga mentaliteti i një sistemi të kaluar. Ne, si PDK, sa kishim pushtetin në Gjilan, ngjyrimet politike në institucionet e Gjilanit i kemi parë si kolorite dhe pasuri e Kosovës. Prandaj vlerësojmë se në këtë rast po shkelen edhe ligjet ekzistuese dhe po rrënohet demokracia që e kemi vendosur për shtatë vite me radhë sa kemi qeverisur me Gjilanin.
Për më tepër shih shkrimin: Zeka: Qeverisja e Gjilanit rrënuese e demokracisë
Ndërkoh në emailin e redaksisë sonë ka ardhur edhe sqarimi përkatësisht kundër reagimi i QKMF-së, drjetorit të këtij institucioni Fejzullah Berishës, pas akuzave të PDK-së se aty po bëhet spastrim politik.
Berisha kishte thënë se nuk është në natyrën dhe filozofinë e LDK-së, eliminimi, spastrimi politik dhe lënia jashtë e ekspertëve, por kurrsesi nuk do të lejohet: neglizhenca, papërgjegjësia, përformanca e dobët, dhe çdo lloj pengese e cila ka për qëllim mos – implementimin e konceptit të Mjekësisë Familjare.
Për më tepër shih shkrimin: Reagim i QKMF-se ndaj akuzave të PDK-së për “spastrime politike”
Tani po e japim edhe reagimin e fundit ndaj sqarimit të drejtorit të QKMF-së , bërë nga Komisioni i Shëndetësisë i Degës së PDK-së në Gjilan.
***
Fillimisht, drejtori i QKMF-së, nuk reagon si Drejtor i këtij Institucioni shëndetësor, po në emër të LDK-së, sikur QKMF të jetë nëndegë e LDK-së, duke dëshmuar politizimin e paprecedent të këtij Institucioni që duhet të jetë në shërbim të shëndetit publik e jo të një partie politike.
Drejtori i QKMF-së, rrëfen për shifra të posteve menaxheriale, duke e pranuar atë që është fakt, se në këtë Institucion po ndodh, vërtet, spastrim politik. Ndryshe nuk kanë logjikë përmendja e shifrave dhe ndarja e njerëzve –punëtorë në QKMF në të partive të ndryshme.
Drejtori i QKMF-së, sikur harron se ai është avancuar në kohën kur qeverisjen komunale e ka pasur PDK, e cila nuk e ka parë atë si përfaqësues të LDK-së, po si punëtor shëndetësor, dhe sigurisht nuk i ka harruar rezultatet, pasi ishte pjesë e atyre të arriturave.
Reagimi kryekëput politik i Drejtorit është për keqardhje dhe e vë atë në pozitën e “komisarit politik”- misionar të shkatërrimit të vlerave demokratike e qytetare të ndërtuara me mund në Gjilan e në QKMF.
Drejtori potencon kinse shkarkimet politike që paskësh bërë PDK më herët. Nuk besojmë që ai të ketë mbamendje kaq të shkurtër. Dihet botërisht se ndryshimet në kohën e PDK-së kishin ndodhur mbështetur në ligjet në fuqi, pasi disa posteve u kishin skaduar kontratat, apo ndonjë edhe kishte rënë ndesh me ligjin.
Drejtori thekson se me të njëjtin buxhet ka bërë shumë më shumë punë. Mjegull, lajthitje apo gënjeshtër. Renovimet që ai potencon se janë bërë me 66.000 euro më 2014 (sërish mbamendje e shkurtër), menaxherët në kohën e PDK-së, më 2009, i kishin bërë po të njëjtat renovime me vetëm 43. 270 euro. Ka harruar apo jo, Drejtori investimet me standarde evropiane në renovimin total të QMF-ve në Bresalc, ambulancës së MF-së në Kishna Pole, në Llashticë, Pogragjë, Uglar….madje duke kursyer buxhetin, sepse janë thithur donacione nga “Caritas” i Luksemburgut.
Drejtori mburret e bëhet telall me blerjen e pajisjeve elementare mjekësore për punën profesionale në MF. E ç’na duhet Mjekësia familjare, pa këto mjete elementare, z. drejtor. Ato gjithnjë kanë qenë, pasi janë si lapsi për nxënësin.
Drejtori bënë telallin e suksesit duke theksuar se me të njëjtin buxhet po bëhen më shumë punë se më herët. Politikë, lajthitje, gënjeshtër apo………; ja shifrat z. Drejtor. Më 2013 buxheti i QKMF-së për mallra e shërbime ishte 198.000 euro, ndërsa më 2014 menaxhmenti paraprak e ka rritur në 345.000 euro mallra e shërbime si dhe 148.000 euro investime kapitale, të menagjuara nga QKMF e që më herët i menaxhonte DSHMS, dhe të trashëguara si të gatshme nga ju z.Drejtor që nga Maji i vitit 2014.
Pra, gjithçka për të cilën mburresh e bëhesh telall, kanë qenë të planifikuara në detaje z.Drejtor, dhe i ke zbatuar sepse ndryshe do të bije ndesh me ligjet në fuqi.
Ju keni një vit menaxher në QKMF, z.Drejtor, pasi jeni vendosur në Maj 2014, e jo dy siç deklaroni. Mjafton kjo për të parë se ju dhe shifrat jeni në linja totalisht të ndryshme.
Drejtori i QKMF-së pretendon se shkarkimet në këtë Institucion po ndodhin në emër të rritjes së performancës profesionale. Ju keni bërë disa vërejtje tërësisht joligjore, pa sens juridik, duke dëshmuar padituri. Askush me terminologjinë juridike nuk mund të devalvohet me Vërejtjen “lëndim të lehtë të detyrave të punës ” në emër të të cilës ju pastaj keni degraduar mjekët nga pozitat e tyre. Skajshmërisht politike, joprofesionale, joetike e jonjerëzore z.Drejtor…vetëm pse ata aderojnë në PDK.
Ju e fyeni mikun tuaj – Kryeshefin e QKMF-së, kur presionin e shantazhin ndaj tij provoni t’ia atribuoni si mungesë efikasiteti e organizimi në punë, duke i potencuar detyrat dhe rolin e tij. Ne e dimë se ju keni qenë miq z.Drejtor. Apo nuk jeni më, sepse tani drejtori jeni ju dhe partia ta sheh për të keq. Ju e dini z.Drejtor, se ju nuk e ftoni Kryeshefin në asnjë takim zyrtar; ju e dini se e anashkaloni pozitën dhe detyrat e tij, duke ngarkuar të tjerë me ato përgjegjësi. A nuk është ky presion, a nuk është ky shantazh…madje ndaj atij që derisa ishte drejtor ju shihnim shpesh bashkë, z.Drejtor. Në këtë pikë, ju shkelni ligjet që përcaktojnë fushëveprimtarinë e pozicionin e Kryeshefit të QKMF-së, pasi ai mbetet me duar të lidhura për të kryer punën e tij. Ju edhe e keni larguar atë nga pozita e Drejtorit, jashtë çdo normativi që e përcaktojnë ligjet tek ne. E pamoralshme, politike, joligjore e jonjerëzore z.Drejtor.
Përfundimisht, z.Drejtor, ju udhëhiqni një Institucion shumë të rëndësishëm që në asnjë moment nuk duhet të reflektojë pozicione politike. Bëhuni drejtor për çfarë jeni aty e jo Komisar politik, sepse me këtë më së shumti i dëmton qytetarët e Gjilanit, për të cilët jemi të thirrur të shërbejmë profesionalisht. Ndajeni partinë nga puna e drejtorit për të mirën e të gjithëve. Përndryshe, z.Drejtor ky vend ka Institucione të tjera që qëndrojnë mbi ju, dhe të cilat mund të ju thërrasin në përgjegjësi një ditë. Atëherë do ta kuptosh sa miqësor është ky reagim yni.
Komisioni i Shëndetësisë i Degës së PDK-së në Gjilan