PDK: Pushtetarët hileqarë dhe përrallat bajate të tyre për “punë të hairit”

PDK: Pushtetarët hileqarë dhe përrallat bajate të tyre për “punë të hairit”

Bëri hile Komuna apo vërtetë Gjilani nuk pati asnjë mësimdhënës konkurrent për çmimin “Shaban Jashari”. Kështu nis reagimi i PDK-së së Gjilanit, përcjellë Shefik Surdulli nga Zyra për Informim e këtij subjekti politik, pasi po bëhen gati dy javë nga 7 Marsi – Dita e Mësuesit, dhe publiku gjilanas, e më gjerë, nuk e di se, pse komunës së Gjilanit, këtë vit “i mungoi” mësimdhënësi, kandidat potencial për çmimin “Shaban Jashari”, që e ndan me këtë rast, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e Republikës së Kosovës?!

“Vetëm ai që për Gjilanin nuk ka njohuri përtej gjeografisë së këtij qyteti të bukur, mund t’i besojë përrallave bajate të pushtetarëve të Gjilanit për “punë të hairit”, përderisa qytetarët e këtushëm përditë e më shumë po ballafaqohen me pasojat e rënda të keqqeverisjes, sidomos në fushën e arsimit të kësaj komune”, thuhet tutje në reagim.

Për PDK-në, Gjilani ka dëshmuar që ka potencial të madh të dijes, në të gjitha nivelet e arsimit, që ka konkurrencë të mirëfilltë të vlerave të dijes, jo vetëm në nivel vendi. Por, fatkeqësisht, DKA-ja po shihet se nuk ka vullnet, nuk e ka sensin e duhur institucional e profesional, për ta vlerësuar këtë potencial të madh!

“A s’është fyerje, madje edhe poshtërim, për 1700 mësimdhënës gjilanas, të cilëve, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), këtë herë, nuk u dha rast të futen në konkurrencë, me të gjithë kolegët e tyre të komunave të Kosovës, për çmimin e nderuar “Shaban Jashari””, thuhet tutje në reagim.

Janë të njohura,shqetësuese, madje, për publikun, një mori skandalesh në arsimin e Gjilanit, që vazhdon t’i prodhojë, në këtë mandat, paaftësia menaxheriale – zinxhirore e qeverisjes komunale të Gjilanit, deri te Drejtoria e Arsimit. Por edhe kjo, e “mungesës” së konkurrencës të mësimdhënësit të dalluar për çmimin “Shaban Jashari”, është një indikacion tjetër shqetësues se në ç’shkallë ka arrit deformimi dhe katandisja e këtij pushteti, veçanërisht në fushën e edukimit dhe të arsimimit.

“Prandaj, DKA në Gjilan, ka obligim ta sqarojë publikun se, përderisa disa shkolla në DKA kishin dërguar propozimet e tyre, cila është arsyeja që Komuna e Gjilanit, në këtë vit, nuk dërgoi as një propozim për mësimdhënësin më të dalluar, për të konkurruar (si të gjitha komunat tjera) për çmimin “Shaban Jashari”, madje, ajo s’pati propozim as për mirënjohje, që Ministria e Arsimit e ndau për mësimdhënës të dalluar, për secilën komunë konkurruese?!”, përfundon reagimi i PDK-s së Gjilanit sjellë përmes Shefik Surdullit nga Zyra për Informim e PDK-së.

KOMENTE