PDK: Projektet që po finalizohen sot, nuk i përkasin angazhimit të kësaj qeverisje

(2L ONLINE) – Ne si opozitë mund të dukemi sikur me asgjë nuk po pajtohemi me këtë qeverisje lokale të LDK-AAK, por jo, fatkeqësisht ne ende nuk po e shohim as më të voglin vullnet, angazhim apo ndonjë iniciativë të re të kësaj qeverisje në Gjilan, për të nisur një projekt të vetëm të tyre që nga fillimi, por ne po shohim manipulimin e përditshëm të opinionit nga zyrtarë të ndryshëm komunal e deri te kryetari i komunës së Gjilanit, thuhet në një reagim të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së , të Asamblesë Komunale të Gjilanit

Ja reagimi:
“Kohëve të fundit, krejt këto promovime të finalizimit të projekteve të cilat po i bënë komuna e Gjilanit tani, e kanë themelin e nisjes së punëve disa vite më parë kur kanë filluar projektimet, hulumtimet e financimit, procedurat e tenderimit etj. Ndërsa në mënyrë të paskrupullt kjo qeverisje komunale i përvetëson në tërësi si projekte të saja.

Duhet të respektohet puna dhe të arriturat e njëri tjetrit, duhet të theksohen bile “kalimthi” se këto punë janë nisur kohë më parë nga një qeverisje e kaluar. Sikurse që ne ende e theksojmë, se projekti i lumit Mirusha është projektuar dhe hartuar nga LDK-ja para vitit 2005, mirëpo nuk e pasur guximin me ia fillua së realizuari këtij projekti edhe pse qeveria kishte me qindra miliona euro suficit në buxhetin e Kosovës, ndërsa guximin për ta nisur një projekti jashtëzakonisht të kushtueshëm financiarisht, e ka pasur vetëm qeverisja e PDK-së.

Projektimi, përcaktimi i financimit, nisja e punëve për asfaltimin e rrugëve “Halim Orana” dhe “Fehmi Agani” në lagjen “Dardania II”, kanë nisur në vitin 2011 me projektim, në vitin 2012 është punuar në këtë pjesë për ujësjellësin e ri, kanalizimet e reja, ujëmbledhësin, ndriçimin publik dhe në vitin 2013 është bërë asfaltimi i shtresës së parë, ndërsa tani është finalizuar me asfaltimin e shtresës së dytë. Dhe gjithçka është finalizuar sipas projektit të hartuar nga qeverisja e PDK-së në Gjilan. Përveç shenjëzimit horizontal të rrugëve, që nuk është bërë aspak në bazë të standardeve evropiane, sepse pikësëpari ngjyrat e vendosura në rrugë nuk janë në përputhje me ato të cilat sot aplikohen nëpër rrugët evropiane. Pra, një ndërhyrje e vogël që është bërë tani edhe ajo është bërë gabimisht.

Aktualisht është duke u implementuar edhe rregullorja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, lidhur me organizimin dhe themelimin e Këshillave Lokale, e cila është e themeluar në vitin 2010, bazuar në Ligjin 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale dhe Statutin e Komunë së Gjilanit nr.12479.

Mirëpo edhe për këtë projekt komuna po e manipulon opinionin, ku në çdo komunikim publik të komunës thuhet se ky projekt po realizohet me iniciativë të kryetarit të Komunës Lutfi Haziri. Kjo iniciativë aspak nuk është e kryetarit të komunës së Gjilanit, por është e Kuvendit të Kosovës që e ka miratuar ligjin për këtë çështje, është nisur për tu implementuar nga Kuvendi Komunal në Gjilan e cila ka miratuar rregulloren e saj në vitin 2010, por ishte penguar nga LDK e cila kërkonte anashkalimin dhe mos respektimin e Rregullores së Kuvendit Komunal për themelimin e Këshillave Lokale.

Po ashtu në fillim të këtij viti, kemi qenë ne si opozitë, të cilët kemi kërkuar në seancën e Kuvendit Komunal, implementimin e kësaj rregullore, mirëpo u votua kundër nga koalicioni LDK-AAK. Mirëpo, ndërkohë është sjellë prapë në Kuvendin Komunal propozimi për të realizuar këtë projekt të rëndësishëm.

Jemi të sigurt se i tërë mandati i kësaj qeverisje lokale do të kalojë duke finalizuar idetë, projektet dhe punët e qeverisje së kaluar të PDK-së në Gjilan. Sepse aq shumë ide projektesh janë hartuar dhe janë nisur nga PDK, sa që i mbetet komunës së Gjilanit të vazhdojë punët e mira dhe mos të ndërpresë ndonjërin prej tyre sepse do të dëmtojë rëndë rrugën e zhvillimit të komunës tonë.

Një gabim shumë të madh në hapa e ka bërë dhe po e bënë sot kryetari i komunës së Gjilanit lidhur me Partneritetin Publiko Privat, ku vetëm në këtë vit do ti kushtojë miliona euro më pak investime ekonomisë lokale, miliona më pak të hyra buxhetit të komunës. Asnjë arsye e vetme nuk ekziston për këtë pasivizim të plotë të komunës në këtë drejtim. Është kryetari i komunës i cili duhet të nxitë dhe shtyjë përpara këtë proces jo të lehtë të Partneritetit Publiko Privat.

Andaj, si qeverisje e re lokale, duhet të filloni me diçka të re, me ndonjë projekt konkret tuajin, sigurisht në bazë të programit tuaj qeverisës, që asnjëherë nuk e keni prezantuar se çka përmban në realitet ai program. Dhe mos i merrni meritat e tjetrit qysh e keni zakon, sepse nga puna e tjetrit do të vazhdoni të mbeteni parazit dhe pa inovacione. Besoj se ju veç tani jeni të habitur se sa shumë keni gjetur të përfunduara në komunën e Gjilanit, sa shumë punë keni gjetur në realizim e që në mungesë të financave janë vonuar, sa shumë projekte i keni të gatshme që janë hartuar nga zyra e projekteve në Gjilan, do të lodheni duke i numëruar të gjitha.

Votuesit e juaj, qytetarët e Gjilanit, po ashtu edhe ne, presim shumë më shumë angazhim dhe punë nga institucionet komunale. Nuk do të thotë që të duhet të përfundojë mandati juaj i qeverisjes duke u ankuar në mungesë të mjeteve financiare. Ju ato i keni pasur edhe më herët në qeverisjet e kaluara, por nuk keni ditur për ti investuar, ju kanë shkuar për disa vite në suficite buxhetor. Edhe sot i keni mjetet financiare, por nuk po bëni maksimumin për të realizuar as planifikimin e të hyrave buxhetore apo edhe për të hulumtuar edhe burime tjera financiare për të investuar në projekte kapitale në Gjilan”.

/Grupi i Këshilltarëve të PDK-së , të asamblesë komunale të Gjilanit/

KOMENTE