Kuvendi i Komunës së Gjilanit sot ka dështuar ta miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal 2024, bashkë me vlerësimet e hershme për vitet 2025-2026, të cilin e ka prezantuar Ilmi Limoni, përgjegjës për Financa.
Anëtarët e PDK-së në Kuvendin e Gjilanit nuk e kanë votuar dhe për këtë dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka dalë me një deklaratë ku është thënë se, planifikimi i buxhetit komunal për vitin 2024 është propozuar pa kurrfarë koncepti të zhvillimit për Gjilanin dhe si i tillë nuk u votua nga PDK.
Ja deklarata e plotë e Degës së PDK-së së Gjilanit:
Planifikimi i buxhetit komunal për vitin 2024 është propozuar pa kurrfarë koncepti të zhvillimit për Gjilanin dhe si i tillë nuk u votua nga PDK.
Një planifikim që ka zvogëlim të buxhetit për investime kapitale, që ka më pak buxhet për sektorin e arsimit dhe shëndetësisë, një buxhet që nuk janë përfshirë projektet e lëna në gjysëm është i pakuptimtë dhe i papranushëm për PDK-në.
Disa nga argumentet dhe arsyet se pse PDK e kundërshtuar dhe ka votuar kundër propozim buxhet për vitin 2024;
1. Buxheti i planifikuar për projekte në investime kapitale është më i vogël se sa ky viti aktual.
2. Në listën e projekteve për investime në vitin 2024, nuk janë përfshirë projektet në realizim e që nuk mund të përfundojnë deri në fund të vitit.
3. Nuk janë përfshirë në buxhet projektet e këtij viti, të cilat nuk janë kontraktuar ende.
4. Nuk kemi asnjë informatë për buxhetin e planifikuar prej 3.4 milion euro te programi për bashkëfinancim të projekteve. Si mund të votojmë për këtë buxhet kur nuk kemi asnjë të dhënë se për cilat projekte komuna ka planifikuar për vitin 2024.
5. Nuk mund të votojmë për buxhetin e planifikuar te shëndetësia në kategorinë për mallra dhe shërbime prej mbi 400 mijë euro, për blerjen e shërbimeve për staf shëndetësor, përderisa prej korrikut të vitit 2022, kryetari i komunës për 15 muaj prej atëhere, nuk ka lejuar nisjen e procedurave dhe nuk ka shpenzuar buxhetin për këtë qëllim, ndërsa tani përsëri e ka planifikuar në buxhetin e vitit 2024.
6. Si të votohet ky buxhet komunal, kur subvencionet te shëndetësia janë rritur vetëm për 65 mijë euro, ndërsa kemi dy vendime të Kuvendit Komunal për subvencionimin e nënave lehona dhe për subvencionimin e pagës për 20 personat me aftësi të kufizuara. E sipas këtij keq planifikimi, nuk është i mjaftueshëm ky buxhet.
7. Buxheti për shpronësime është zvogëluar prej 2,5 milon euro në vetëm 500 mijë euro, pra për katërfish kemi zvogëlim të buxhetit, ndërsa qytetarët e Gjilanit me vite të tëra kërkojnë dhe presin pagesat nga komuna për tokat e shpronësuara. Është e ditur nga të gjithë që janë me qindra lëndë nëpër gjykata, si kërkesa për shpronësime. Andaj ky propozim është i papranueshëm për ne.
8. Buxheti i planifikuar prej 330 mijë euro për shërbimet rezidenciale, nuk ështi i realizueshëm, njësoj sikurse që është totalisht i parealizueshëm edhe buxheti prej 280 mijë euro i këtij viti. Sepse ju kryetar nuk e keni aspak idenë se ku e si të investohet ky buxhet për shtëpinë e pleqëve dhe për fëmijët jetim.
9. Në listën e projekteve në infrastrukturë publike, nuk keni bërë planifikimin e duhur dhe afërsisht të barabartë nëpër lokalitetet e komunës së Gjilanit. Ka lagje që nuk janë planifikuar investime, ose fare pak është ndarë buxhet. Ka lagje të mëdha që asnjë projekt ende nuk e keni nisur për dy vite të qeverisjes suaj dhe për vitin tjetër poashtu i keni lënë krejt pasdore.
10. Ka fshatra të mëdha si Zhegra, Malisheva e Bresalci, që keni ndarë vetëm nga 100 mijë euro buxhet, ndërsa dy vitet e fundit asnjë euro investim nuk keni bërë në Malishevë. Ku ka mbetë rruga prej lagjes së Muhaxherëve të Malishevës deri në Vërbicë të Kmetocit? Ku i keni ju zotimet e juaja për këtë rrugë e bërë histori, e nisur në vitin 2013.
11. Asnjë euro buxhet nuk keni planifikuar për vazhdimin dhe përfundimin e projektit të sheshit të lumit Mirusha, a e dini që për dy vite të qeverisjes suaj dhe për buxhetin e vitit të tretë, ju kryetar as nuk e përmendni fare këtë projekt.
12. Asnjë euro buxhet nuk planifikuar për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetin e Gjilanit.
13. Asnjë euro buxhet nuk keni planifikuar për investime të infrastrukturës së domosdoshme për varrezat e reja të qytetit të Gjilanit.
14. Asnjë euro buxhet nuk keni planifikuar për funksionalizimin e fshatit social.
15. Asnjë euro buxhet prej 6 milion euro të ndara këtë vit për impiantin e ujërava të zeza nuk keni arritë ta shpenzoni, dhe krejt këto pare i kthehen qeverisë së Kosovës, ndërsa banorët e fshtatrave Malishevë, Uglarë e Pogragjë përballen me gjendjen e jashtëzakonshme të këtij problemi.
Ka edhe dhjetëra projekte tjera që kanë dështuar si qeverisje e VV—së për t’i nisur dhe realizuar.
Sot kemi gjendje alarmante në komunën e Gjilanit, si pasojë e keq qeverisjes dhe paaftësisë së VV-së për ti quar përpara projektet e planifikuara, duke filluar nga ato minimale, kapitale e madhore deri te ato të mirëmbajtjes së infrastrukturës, që janë buxhetuar por nuk ka kush ti realizojë. /2LONLINE/