DYLON

PDK: Përkujtojmë heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, figura të shquara të rezistencës shqiptare, simbol i guximit, sakrificës dhe idealit për liri

PDK: Përkujtojmë heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, figura të shquara të rezistencës shqiptare, simbol i guximit, sakrificës dhe idealit për liri
Avatar photo Redaksia

“Janari është muaji i kujtesës, i krenarisë dhe i reflektimit kombëtar. Është muaji kur historia jonë ndalet për të nderuar bijtë më të devotshëm të atdheut, ata që me jetën dhe gjakun e tyre i dhanë kuptim lirisë sonë. Në këtë frymë, përkujtojmë me respekt të thellë heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala, figura të shquara të rezistencës shqiptare, simbol i guximit, sakrificës dhe idealit për liri”, thuhet në një komunikatë të PDK-së së Gjilanit.

***

EkoHigjiena

Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ishin ndër prijësit e lëvizjes ilegale për çlirimin kombëtar, burra të vendosur që nuk u përkulën përballë dhunës dhe padrejtësisë. Me veprën dhe qëndresën e tyre, ata dëshmuan se liria nuk dhurohet, por fitohet me përkushtim dhe sakrificë. Rënia e tyre heroike në janar të vitit 1984 i shndërroi ata në pishtarë të përhershëm të lirisë, duke i dhënë brezave mesazhin e qartë të qëndresës dhe dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.

Në nderim të kësaj sakrifice sublime, në Gjilan dhe në mbarë trojet shqiptare organizohet manifestimi kulturor “Flaka e Janarit”, një ngjarje me peshë të veçantë historike dhe shpirtërore. Ky manifestim nuk është vetëm përkujtim, por një betim i vazhdueshëm se ideali për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar do të mbetet i gjallë. “Flaka e Janarit” simbolizon zjarrin e pashuar të rezistencës, kujtesën kolektive dhe lidhjen e pandërprerë mes së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë.

Gjilani, si vatër e kësaj ngjarjeje, mbetet vend i kujtesës dhe krenarisë kombëtare, duke ruajtur me dinjitet amanetin e dëshmorëve. Përmes aktiviteteve kulturore, letrare e artistike, “Flaka e Janarit” i fton brezat e rinj të njohin historinë, të respektojnë sakrificën dhe të punojnë për një të ardhme më të drejtë e më të ndritur.

Lavdi e përjetshme heronjve Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala!

Qoftë e përjetshme Flaka e Janarit, flaka e lirisë dhe e identitetit tonë kombëtar.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.