/2L ONLINE/ – Anëtaret e Komitetit për Arsim të komunës së Gjilanit, Shukrije Rapuca dhe Leonora Bunjaku, që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, kanë përcjellë reagimin e këtij subjekti politik duke dënuar dhunën nëpër shkollat e Gjilanit.
Sjellim reagimin e plotë:
“Nuk është hera e parë që gjatë qeverisjes së LDK-së, nëpër shkollat e Gjilanit po përdoret dhuna, keqtrajtimet dhe fyerjet si instrument i edukimit ndaj nxënësve. Dhuna e përdorur dje nga drejtori i shkollës fillore “Abdullah Tahiri” ndaj një nxënësi në fshatin Malishevë, sikurse që ka ndodhur edhe në disa raste të tjera, tregon gjendjen e stërkeqe dhe të pakontrolluar në sistemin e Arsimit në shkollat e Gjilanit.
Veprimet e tilla të drejtorit, bien në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës, Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Rregulloren QRK Nr. 21/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Institucionet e Arsimit Para-Universitar si dhe rregulloret tjera përkatëse të punës së mësimdhënësve.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në dispozitat për të drejtat e fëmijëve, në nenin 50.3 shprehimisht parasheh që secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe shfrytëzimi.
Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, në nenin 4.2 shprehimisht përcakton se ndalohet ndëshkimi fizik apo çfarëdo forme tjetër e ndëshkimit nënçmues në të gjitha institucionet arsimore dhe aftësuese, qofshin ato publike ose private”
Duke ditur faktin se ishte vet drejtori i Arsimit në komunën e Gjilanit i cili ka përdorur në disa raste dhunë ndaj nxënësve, atëherë nuk mund ti bëhet thirrje një drejtori të paaftë dhe të papërgjegjshëm të Arsimit i tillë çfarë është ai, që të ndërmerr masat disiplinore ndaj atyre që po përdorin dhunën ndaj nxënësve në shkollat e Gjilanit.
Dihet edhe fakti tjetër, se komuna e Gjilanit nuk ka kryetar komune dhe nuk ka kush të merret me zgjidhjen e problemeve në Arsim por edhe në fushat tjera ku është krijuar kaos kudo nëpër të gjitha institucionet komunale, duke ua rënduar çdo ditë e më shumë jetën e qytetarëve Gjilanas.
Mjet i komunikimit qytetarë në qeverisjen e Lutfi Hazirit është bërë stupci dhe kanuni, fillimisht me rrahje në mes zyrtarëve komunal, pastaj mësimdhënësit mes tyre dhe ndaj nxënësve, tani edhe drejtorët e shkollave ndaj nxënësve. Mirëpo kësaj gjendje po i vjen fundi, sepse Partia Demokratike e Kosovës shumë shpejt do të qeverisë me Gjilanin dhe do të eliminojë dhunën që po ushtrohet ndaj nxënësve kudo nëpër ambientet shkollore, për gjashtë vite të qeverisjes së PDK në Gjilan nuk është ushtruar dhunë.
Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan i bënë thirrje institucioneve të drejtësisë, që në të gjitha rastet e tilla dhunës, të ndërmerren masat adekuate për të parandaluar dhe ndëshkuar të gjitha veprimet e dhunës, keqtrajtimit dhe fyerjes ndaj nxënësve, por edhe ndaj secilit qytetarë të cilët sot po përballen me dhunën e zyrtareve të ndryshëm komunal, e në veçanti nga zyrtarët arsimor të cilët duhet të ofrojnë dije, kulturë e mirësjellje dhe jo të shërbejnë dhunë ndaj nxënësve”. /2L ONLINE/