(2LONLINE) – Drejtues të PDK-së së Gjilanit, përmes një komunikate theksojnë se Gjilani për gjithë kohën e pasluftës LDK-në dhe liderin e sotëm të saj në Gjilan e njeh vetëm për gjëra negative, siç ishte kumbarë për decentralizimin dhe coptimin e Komunës së Gjilanit në favor të rritjes së komunave fqinje, ashtu ishte kumbar edhe i keqpërdorimit të fondit të termetit që e preku Gjilanin në vitin 2002, po ashtu është edhe kumbar i manipulimeve dhe blerjeve të votave nga komunitetet pakicë por edhe duke i keqpërdorur gjendjen sociale të disa familjeve në nevojë.
Me këtë rast Qemajl Mustafa, kandidat i PDK-së për kryetar komune ka thënë se pavarësisht rezultatit në raundin e parë, homogjenizimi që ka ndodhur në PDK këtyre ditëve dëshmon se ne do ta rikthejmë rezultatin në favorin tonë, ngase dëshmia e përmbysjes së këtij rezultati është ardhjet e shumta që kanë ndodhur nga të gjitha subjektet politike pos nga LDK. Elektorati i të gjitha subjekteve të tjera është organizuar në sjelljen e sa më shumë votuesve, që kanë të vetmin qëllim, atë të ndaljes së të keqes së madhe që i kanoset Gjilanit me ardhjen e Lutës në krye të qeverisjes së Gjilanit.
“Kemi fakte, edhe pse jo të mjaftueshme për blerjen e votave nëpër disa lagje të komuniteteve pakicë, por edhe nga qytetarët e tjerë, të cilët janë manipuluar me premtime shumë të mëdha dhe assesi të mundshme për t’u realizuar. Ne me manipulime nuk jemi marrur dhe as që do të merremi, sepse dëshmia më e mirë për gjilanasit është puna jonë shumë e madhe që është bërë në zhvillimin e gjithandejshëm në hapësirën e Komunës të realizuara nga PDK”, thotë Mustafa.
Ndërsa sa i përket kritikave të tij se fushata në Gjilan po bëhet nga “jabangjinjtë” duke aluduar në Kryeministrin Thaçi, ai ka informuar publikun se kryeministrin e përcakton fuqia elektorale, prandaj ai është kryeministër i gjithë Kosovës dhe bënë vizita dhe do të bëjë kado nëpër Kosovë, ngase e ka obligim.
Po ashtu ai ka thënë se edhe përkundër investimeve që nuk kanë qenë në atë agjendën të cilën ne e dëshirojmë dhe e kemi kërkuar, jemi larg më të mirë se ata të cilët ishin para nesh. Periudha e kryeministrit Thaçi në qeverisje është sikurse dita, në krahasim me atë kur kanë qeverisur në nivel vendi LDK e që për qytetarët njihet sikur nata. Qeverisja prej vitit 2008 – 2013 njihet si qeverisja më e suksesshmja që ka ndodhur deri më tani në udhëheqjen e Gjilanit, ka thënë ai ndër të tjerash. /2lonline/